Ndryshe nga sa pretendon Sali Berisha, ai ka kërkuar jo një, por plot dy herë të pajiset me vizë e të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara, ku është i shpallur non grata, por kërkesat e tij janë injoruar nga Departamenti i Shtetit të SHBA.
Report Tv ka siguruar dokumentet që vërtetojnë se Sali Berisha ka kërkuar vizë në SHBA, pas kontratës së lobimit 6 mln dollarë me kompaninë Continental Strategy. Kërkesa e parë mban datën 28 mars dhe i është drejtuar sekretarit të shtetit, Marco Rubio.
Report Tv u sjell në shqip kërkesën e parë të Sali Berishës për një vizë në SHBA. Kërkesa është bërë nga një grup organizatash shqiptaro-amerikane “Vatra”,“Albanian Roots” apo edhe “Make Albania Great Again”, fondancioni i krijuar nga Nuredin Seci i cili është edhe garantori i kontratës 6 mln dollarë të lobimit.
Pasi kjo tentativë dështoi, kompania lobuese i drejtohet më një tjetër kërkesë DASH, më 1 maj, me argumentin se Berisha duhet të bëjë fushatë dhe trajtojnë edhe rrugët e mundshme për pajisje me vizë
Kërkesa e plotë në shqip drejtuar Sekretarit Amerikan të Shtetit më 28 Mars 2025
Për: Sh.T.Z. Marco Rubio Sekretar i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Departamenti i Shtetit Ëashington, D.C., SHBA
Subjekti: Kërkesë për një vizë hyrje-daljeje për Prof. Dr. Sali Berishën për të vizituar Shtetet e Bashkuara
I nderuar Zoti Sekretar,
Ne, udhëheqësit e nënshkruar të organizatave shqiptaro-amerikane të mëposhtme, së bashku me anëtarët dhe mbështetësit tanë brenda komuniteteve tona, kemi nderintë paraqesim këtë kërkesë zyrtare për lëshimin e një vize hyrje-daljeje për Prof. Dr. Sali Berishën, Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, për të vizituar Shtetet e Bashkuara.
Prof. Dr. Sali Berisha është ftuar zyrtarisht nga organizatat tona për të takuar komunitetin shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara. Si qytetarë të Shteteve të Bashkuara dhe anëtarë aktivë të komuniteteve tona, ne e njohim rëndësinë thelbësore të angazhimit demokratik dhe pjesëmarrjes në të ardhmen politike të Shqipërisë. Me zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri të planifikuara për më 11 maj 2025, ne kërkojmë praninë e Prof. Dr. Berishës për t’iu drejtuar komunitetit tonë dhe për të dhënë udhëzime mbi mënyrën se si mund të kontribuojmë më mirë në procesin demokratik në atdheun tonë.
Prof. Dr. Berisha është një figurë historike në politikën moderne shqiptare, duke luajtur një rol vendimtar në kalimin e Shqipërisë nga një prej regjimeve më të ashpra komuniste në një shoqëri të lirë dhe demokratike. Karriera e tij e gjatë politike përfshin shërbimin si ish-President, dy herë Kryeministër dhe anëtar i Kuvendit të Shqipërisë për dhjetë mandate. Nën udhëheqjen e tij, Shqipëria ndërmori reforma kritike demokratike, përfshirë rikthimin e lirive fetare, themelimin e një ekonomie tregu të lirë dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Më tej, përpjekjet e tij ishin thelbësore në liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Europës.
Përtej kontributit të tij për Shqipërinë, Prof. Dr. Berisha ka qenë një nga përkrahësit më të fortë të partneritetit strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ai ishte udhëheqësi i parë shqiptar që zhvilloi takime të drejtpërdrejta me Presidentë të SHBA dhe ka luajtur një rol kyç në forcimin e lidhjeve diplomatike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve tona. Takimet e tij me Presidentët George H.Ë. Bush dhe Bill Clinton, si dhe vizita zyrtare e një Presidenti në detyrë të SHBA në Shqipëri, z. George Ë. Bush, dëshmojnë përkushtimin e tij për të forcuar marrëdhëniet e ngushta mes dy kombeve tona.
Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se Prof. Dr. Sali Berisha është udhëheqësi i Partisë Demokratike të Shqipërisë, e cila ndan një lidhje ideologjike dhe politike afatgjatë si parti motër me Partinë Republikane të Shteteve të Bashkuara. Kjo lidhje e thellë thekson vlerat e përbashkëta të lirisë, të drejtave individuale dhe qeverisjes demokratike që ndahen nga të dy partitë dhe mbështetësit e tyre.
Për më tepër, komuniteti shqiptaro-amerikan në të gjithë Shtetet e Bashkuara ka qenë thelbësor në forcimin e këtyre lidhjeve dhe ka luajtur një rol kyç në mbështetjen e lëvizjeve demokratike jashtë vendit. Në veçanti, komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë gjithashtu një kontribuues i rëndësishëm dhe i zëshëm në suksesin elektoral të Presidentit të 45-të dhe 47-të të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump. Ky angazhim aktiv qytetar nxjerr në pah përkushtimin e qëndrueshëm të komunitetit tonë ndaj demokracisë amerikane dhe vlerave të saj të politikës së jashtme.
Në dritën e këtyre konsideratave, ne kërkojmë me respekt nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së të lëshojë një vizë hyrje-daljeje për Prof. Dr. Sali Berishën, duke i mundësuar atij të marrë pjesë në këto angazhime të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara. Prania e tij do të forcojë lidhjet e forta midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke avancuar përkushtimin tonë të përbashkët ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit.
E vlerësojmë shqyrtimin tuaj të kësaj kërkese dhe presim me padurim një përgjigje pozitive.
Me respektin dhe mirënjohjen më të lartë.
Kërkesa e plotë në shqip drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit më 1 Maj 2025
CONTINENTAL PLLC AVOKATË NË LIGJ
1 maj 2025
I dashur Alberto,
Faleminderit për kohën tuaj sot. Ju na kërkuat të bëjmë kërkime dhe të sqarojmë aspektet unike të programit të sanksioneve të vizave sipas Seksionit 7031, i cili do ta pengonte Presidentin Sali Berisha të dorëzonte thjesht një letër aplikimi ëaivers (përjashtim).
Seksioni 7031(c) është një proces plotësisht politik. Ligji FORPA nuk krijoi ndonjë proces përjashtimi, aplikim për përjashtim apo të drejtë për apelim. Në vend të kësaj, ai i dha vetëm Sekretarit të Shtetit kompetencën e plotë për të sanksionuar një individ ose për të tërhequr apo revokuar atë shpallje. Gjithashtu, i dha kompetencën e vetme për të hequr sanksionin “nëse Sekretari përcakton se përjashtimi do të shërbente një interes kombëtar të fuqishëm ose nëse rrethanat që e bënë individin të padëshirueshëm kanë ndryshuar ndjeshëm.”
Revokimi ose përjashtimi mund të ndodhë përmes një rishikimi të brendshëm, rishqyrtimi politik ose një ndryshimi të politikës së administratës. Individi i sanksionuar ose përfaqësuesit e tij mund të paraqesin një kërkesë pranë Departamentit të Shtetit, të dorëzojnë informacion kundërshtues, ose të bëjnë lobim për revokim, por vendimi përfundimtar është plotësisht diskrecionar (në dorën e Sekretarit).
As ligji dhe as ndonjë vendim gjyqësor i mëvonshëm nuk e njohin ndonjë rrugë tjetër për zgjidhje. Në çështjen Bautista-Rosario kundër Mnuchin, 568 F. Supp. 3d 1, 6 (D.D.C. 2021), Gjykata e Qarkut të Uashingtonit D.C. gjeti se as Seksioni 7031(c) dhe as ndonjë ligj tjetër nuk autorizonin shqyrtim gjyqësor të një shpalljeje të tillë. Në mungesë të një autorizimi të tillë, “shqyrtimi gjyqësor i përjashtimit të një të huaji është… i pamundur.” E njëjta gjykatë e pohoi këtë në një vendim të mëvonshëm, duke gjetur se “nuk është në kompetencën e asnjë gjykate... të shqyrtojë vendimmarrjen e degës politike të Qeverisë për të përjashtuar një të huaj të caktuar.” Rahmani kundër Yellen, Nr. 24-0285, 2024 U.S. Dist. LEXIS 71572, *47 (D.D.C., 19 prill 2024) (theksuar); shih Doshi kundër Blinken, Nr. 23-3613, 2024 ËL 3509486, *9 (D.D.C., 22 korrik 2024) (vendimi i Sekretarit është “përfundimtar sepse agjencia e ka përfunduar procesin e saj të vendimmarrjes...”). Sigurisht, këto raste anashkalojnë cenime të rëndësishme ndaj të drejtave të procesit të rregullt të individit të sanksionuar dhe zgjasin përtej kufijve diskrecionin e Departamentit nën Aktin e Procedurave Administrative.
Por megjithatë, ato qëndrojnë si precedentë që vërtetojnë se vetëm Sekretari mund të shtojë ose të heqë dikë nga lista e Seksionit 7031(c).
Në këtë rast, argumentet për heqjen e Presidentit Berisha nga lista janë të forta dhe të vetëkuptueshme: Ai është një aleat i fortë i Amerikës, përfshirja e të cilit në listë u motivua tërësisht politikisht nga administrata e mëparshme. Zgjedhjet e afërta në Shqipëri dhe nevoja që Presidenti Berisha të zhvillojë fushatë me diasporën shqiptaro-amerikane përbëjnë një “interes kombëtar të fuqishëm” që kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar nga Sekretari. Presidenti Berisha ka kërkuar në mënyrë të përsëritur një proces rishikimi zyrtar dhe mundësinë për të paraqitur informacion kundërshtues. Dhe përkrahësit e Presidentit Berisha në Shtetet e Bashkuara i janë drejtuar zyrtarisht
Departamentit të Shtetit me një letër të datës 28 mars 2025.
E vetmja mënyrë që i ka mbetur për zgjidhje është tek Sekretari.
Me respekt, Craig D. Yonce, Esq. CONTINENTAL PLLC
Lajmi kryesor:
Zbulohet gënjeshtra e Berishës: Ka kërkuar dy herë vizë për në SHBA para zgjedhjeve (pas lobimit 6 milionë dollarë) por u refuzua /DOKUMENTET
K.M/ReportTv.al