Kryeproducenti i Hollivudit George Edde

George Edde: Gjatë xhirimeve në Shqipëri gjeta 'Parajsën e fjetur'

4 Korrik 2018, 08:03| Përditesimi: 4 Korrik 2018, 08:38

  • Share

Artistët e Hollivudit, kryeproducenti George Edde, producenti Aliekber Yildiz dhe skenaristi Omer Sarikaya vazhdojnë t’i mbajnë ende surprizë emrat e aktorëve që priten të vijnë për xhirime në Shqipëri sëbashku me dy aktorët me famë ndërkombëtare Mel Gibson dhe Jean Claude Van Damme.  

Edhe fabulën e filmit nuk e tregojnë të plotë. Cilëndo pyetje t’u drejtosh për të qenë më të qartë, ata kanë vetëm një përgjigje, filmi trajton temën e “islamofobisë”. Kjo është mënyra e komunikimit, që grupi i xhirimeve të filmit hollivudian ka zgjedhur të mbajë me mediat në Tiranë. Ata bëjnë me dije se xhirimet i kanë nisur në Korçë e në Pogradec, ku kanë zbuluar, siç shprehet producenti hollivuadian George Edde “parajsën e heshtur shqiptare”.

Në film do të bëhet fjalë për tolerancë, paqe dashuri. Dhe kjo, sipas producentëve dhe aktorëve të Hollivudit “gjendet më së shumti në vendin tonë”. Ndërsa në Tiranë, producentët shprehen se kanë ardhur për të kërkuar ndihma për xhirimet. Duket pak e habitshme kjo kërkesë. Ata deklarojnë se këto ndihma i presin nga shteti shqiptar dhe financuesit, jo vetëm sepse do ta bëjnë të njohur Shqipërinë, por edhe do të do të shërbejnë në ndihmë të fëmijëve, sipas një projekti të lidhur me UNICEF. 

Producenti Omer Sirkaya shprehet se përbërja e stafit të filmit: ai vetë turk, skenaristi është kurd, regjisori amerikan, aktorja Teuta Turku shqiptare dhe yjet hollivudianë Van Damme dhe Gibson; japin më së miri mesazhin se:

Feja, besimi dhe ato për të cilat ne besojmë nuk na bëjnë terroristë, vrasës apo indiferentë. Ne duam të bëhemi si ju shqiptarët, t’i themi botës se duhet të jemi si ju. Në fakt, kur na thanë që ju martoheni, jetoni dhe celebroni festat e dy feve, nëse në një familje ka të tillë, ne na u duk pak e habitshme. Pashë me vëmendje mimikat tuaja, kur ne ua thamë këtë dhe juve nuk lëvizët as qerpikët. Sepse për ju kjo është diçka e zakonshme. Kjo është një gjë e mirë, që ne duam t’ia tregojmë gjithë botës si një model nga Shqipëria.

Producenti Omer Sirkaya

Ndërsa filmi ka në qendër të fabulës së tij ngjarjet në Bosnje-Hercegovinë, ku producentët na zbulojnë vetëm faktin se bëhet fjalë për një nënë ballkanase dhe djalin e saj 18-vjeçar, mësojmë se rolin kryesor në këtë film e ka shqiptarja Teuta Turku, e cila ka ikur shumë e re në Turqi dhe është shquar në filma që kanë marrë pjesë deri në festivale ndërkombëtare, përfshi edhe atë të Kanës. Aty ajo njihet me producentët dhe ftesa që Hollivudi të bënte xhirime në Shqipëri nisi prej aktores Teuta Turku, që është edhe organizatore në këtë film.  Lajmi se do të vijnë aktorët e famshëm hollivudianë është i mezipritur nga shqiptarët. Por kur? A do të vijnë vërtetë? Producentët dhe vetë George Edde na sigurojnë se ata do të jetë një ditë në Shqipëri, por nuk bëhet fjalë që në këtë film Jean Claude Van Damme dhe Mel Gibson të kenë role kryesore.  Flitet se do do të vijë edhe Steven Seagal, por roli i yjeve të Hollivudit do të jetë si një mesazh i shprehur në ekran, si ambasador i paqes, shprehet kryeproducenti i Hollivudit, George Edde, për gazetën “Shqiptarja.com”.

Zoti Edde, ju vini nga bota e madhe e Hollivudit, shumë e përfolur në media me shkëlqimin dhe problemet që ka. Çfarë ka ndryshuar dekadat e fundit në këtë industri gjigante të filmit botëror?

Filmat ecin përpara dita ditës, thjesht aktorët bëhen pak më të vjetër. Prodhohen ende filma që tregojnë aksion, Filma që kanë  mesazhe ose drama. Hollivudi është pjesa më e mirë për aktorët që ngjiten në skenë, që iu jep prestigjin më të lartë. Prandaj kemi zgjedhur Amerikën dhe Kanadanë, kemi kaluar dhe Europën për të shfaqur filmat hollivudianë. Mua personalisht më pëlqen Shqipëria. Mund të kujtojmë këtu, që i ndritë shpirti atje në Parajsë, ish bashkëshorten time që ishte me origjinë nga Shqipëria. Ajo tani nuk jeton më, Zoti qoftë me të.  

Cila janë preferencat më të fundit të producentëve të Hollivudit për produksionet filmike: aksion, fiction apo filma realistë dhe me tema sociale?

Është një miks, ka kompani të ndryshme, kompani private, ku bëhet fjalë për 5 mijë kompani që bëjnë filma dhe studio të mëdha në Hollivud, sidomos Dysney Land që ka filma shumë të bukur për të vegjlit. 

Çfarë mund të na tregosh për ato që fshihen përtej  fasadës së imazhit të artistëve të Hollivudit?

Prapa skenave ka shumë punë, shumë sakrifica. Ka shumë përpjekje për të bërë efekte dhe skena të veçanta. Ka përpjekje  nga aktorët për të bërë vetë lëvizjet për të cilat edhe i duhen ndihmesa. Të gjitha arrihen me shumë punë dhe përpjekje, jo vetëm nga aktorër, por edhe producentët, skenaristët, fotografët e kameramanët, e puna e shumë të tjerëve. Pas çdo shkëlqimi dhe suksesi fshihen puan dhe sakrificat e mëdha. 

Çfarë mund të thoni për protestat e fundit që janë bërë lidhur me tendencat e ngacmimeve seksuale dhe akuzat e aktoreve për përdhunimet që kanë ndodhur në Hollivud?

Në gjithë botën kemi përdhunime seksuale, jo vetëm në Hollivud, por në të gjitha fushat e punësimit dhe të biznesit. Unë di vetëm një person që e ka bërë këtë, që ka bërë abuzime seksuale dhe dihet që ai ka marrë dënimin e tij. Por këtë nuk e bëjnë shumë të tjerë, dhe për mua do të ishte e tmerrshme. Unë vetë nuk do ta bëja dot kurrë, që t’iu thosha aktoreve:  “je e ftuar në skenë për këto role” dhe pastaj: “hajde në shtrat me mua”. Pra ndodh në ndonjë rast, por nuk duhet që këto akuza t’i shkojnë vetëm Hollivudit, t’i atribuohen si ngjarje që nodhin vetëm aty. Kjo është e rëndë, është shumë e ekzagjeruar... 

Meqë nuk na treguat datën e saktë se kur Van Dam e Mel Gibon apo aktorë të tjerë hollivuadianë që do të na surprizojnë sipas jush me vizitën e tyre në Shqipëri, mund të na tregoni ndonjë histori që rrëfen për marrëdhëniet tuaja me Van Dam apo të tjerë aktorë të mëdhenj?

Unë nuk mund të rrëfej historitë e marrëdhënieve me ta, por po të rrëfejë fotot. Kam shumë foto me Van Dam. 

Çfarë rolesh kanë në këtë film?

Mel Gibson dhe Jean Claude Van Damme aktorët e famshëm të Hollivudit, nuk do të kenë role kryesore në këtë film . Ata do të vijnë duke qenë ambasadorë të paqes, kjo është arsyeja kryesore pse ata janë këtu. Ata nuk do të jenë protagonistë kryesorë në filmin “Islamofobia”, por do jenë aty për ato mesazhe të vogla për qenë ambasadorë të paqes. Dhe aktorët kanë dëshirë të vijnë këtu. Por, për këtë kemi nevojë për mbështetjen e shtetit shqiptar. Duam të bisedojmë fillimisht për çfarë mund të bëjmë e çfarë na ofrohet të bëjmë këtu. Zgjodhëm Shqipërinë, sepse ka një realitet që i përshtatet më së miri mesazhit që ne duam të japim dhe Shqipëria është vendi më i mirë që duhet t’i jap mesazhe dhe vetë Europës. Këtu në këtë vend jetojnë, martohen, gëzojnë e krijojnë familje myslimani me të krishterin, hebreu me një mysliman apo me një të krishterë. Apo ka martesa të tilla ku në një çift gjen një njeri që nuk beson thellësisht dhe një besimtar ndjekës të rregullave të fesë së tij. Dhe sërish ata respektohen me njëri tjetrin.  

Fillimi titullohet “Islamofobia”, si mendoni çfarë e nxit  islamofobinë në botë?

Unë dua të qëndroj tek mesazhi i këtij filmi, që është se paqja, toleranca dhe dashuria nuk e nxisin islamofobinë. Është e rendësishme të theksojmë se këtë nuk e bëjnë njerëzit. Përgjigjen më të mirë të këtij mesazhi të filmit, unë e gjeta në vendin tuaj. Dhe Islamofobia është ajo që i bën shumë persona të ngurojnë që të vijnë këtu. Madje shumë më pyesin se çfarë do të bëjmë kur të vijmë në Shqipëri, a është Shqipëri një vend i sigurt. Historia e këtij filmi pra ka të bëj me Ballkanin. Ne kemi aktorë nga 48 shtete të ndryshme që i janë bashkuar këtij filmi. Ata janë bërë pjesë e këtij filmi edhe për të sjellë mesazhin e paqes, por edhe për faktin se një pjesë e fitimeve të këtij filmi do të shkojnë për bamirësi. 

Cila është arsyeja që kërkoni mbështetje për filmin, nuk keni ju ende një buxhet të mjaftueshëm?

Ne e kemi buxhetin për xhirimet, por mbetet vetëm 20 përind e tij një pjesë për të xhiruar në Shqipëri, dhe ne dua të pëfshijmë vendet më të mira të Shqipërisë në këtë flm, nga të gjitha vendet e saj. Deri tani më tani është vendosur që të xhirohet në Tiranë, Durrës, Pogradec, por edhe në një nga malet shqiptare. Ne mund t’i japim këtij filmi një dimension shumë të madh duke e shpërndarë në të gjithë botën. Kjo parajsë e heshtur duhet të zgjohet dhe të gjithë do të kuptojnë se ku është Shqipëria. Kam dëgjuar shumë  njerëz, përfshi aktorë të mëdhenj që më pyesin se ku është Shqipëria . Ky film do t’u tregojë të gjithëve se ku është ky vend që për mua është një nga vendet më të bukura në botë. Ne kemi biseduar me aktorët e njohur Zhan Klod Vandam e  Stiven Siagal dhe ne duhet të bëjmë të pamundurën që t’i  mirëpresim. Unë kam parasysh se shumë vite më parë kur kemi bërë në Hollivud xhirime për një film në Miami, ky vend nuk ishte aq shumë i njohur, por pas filmit u përmbys gjithçka dhe nga e gjithë bota dëshirojnë që të shkojnë atje. JU e dini se sot Miami është ëndrra e të gjithëve për të shkuar atje. Nëse ne lidhemi me investitorët dhe ata financojnë, e shteti shqipatr na ndihmon ne përmes filmit, përveç njohjes së vendit tuaj, do të bëjmë edhe të mira të tjera, sepse paratë e fitimit të filmit do të shkojnë të gjitha për qëllime bamirësie.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?