Më 15 mars u përkujtua 17-vjetori i shpërthimit tragjik dhe krimit shtetëror të asaj kohe, ku në Gërdec u vranë në fabrikën e demontimit 26 qytetarë të pafajshëm, punëtorë të fabrikës dhe banorë, teksa pati edhe qindra të plagosur.
Por edhe ditët e sotme drejtësia për atë ngjarje nuk është vënë në vend, pavarësisht këmbënguljes së guximshme të familjarëve të viktimave. Avokati dhe analisti Spartak Ngjela, tha sot (17 mars) në ‘Studio Live’ të Report Tv se ai ishte një ndër krimet më të rënda të ndodhura në 30 vite dhe një biznes që drejtohej nga Berisha dhe familja e tij.
Ngjela kujtoi se Berisha pas 15 marsit 2008 doli në publik si kufomë dhe i vdekur, teksa shprehu besimin se drejtësia do bëhej dhe SPAK-ut i kishin ardhur prova të reja.
“Gërdecin nuk e ka pasur që në fillim SPAK-u, se nuk ishte formuar. Tani të shikojmë se ka shkuar në aspektin juridik brenda SPAK. Unë them se do e çojë, nuk e ka shumë të lehtë, por është organizëm që ka ekspertizë ndërkombëtare. Po pret një ekspertizë të re ndërkombëtare dhe prova është provë. Ai është një ndër krimet më të rënda të 30 viteve të fundit. Do ishte çlirim për koshiencën shqiptare, që të kishte drejtësi dhe ndëshkim. Këta kishin shkuar me një injorancë shpenzimesh në atë rast dhe kjo solli e ndodhi shpërthimi”, tha Ngjela.
I pyetur nga moderatori Arbër Hitaj për dinamikën e ngjarjes pasi kishin kaluar shumë vite dhe atë që kujtonte nga ngjarja, Ngjela theksoi se ai ishte një biznes që drejtohej nga Berisha, i cili gati sa nuk vdiq pas shpërthimit dhe u shndërrua në kufomë, derisa arriti që nëpërmjet segmenteve të drejtësisë ta shpërbënte çështjen që tashmë është rihapur në SPAK.
“Atë biznes e drejtonte familja Berisha, ajo dihet. Ju s’e mbani mend, por Saliu desh vdiq, doli si kufomë kur doli. Por tani që e ka marrë SPAK, në informacionet e mia kanë ardhur edhe prova të reja, se deri tani nuk kanë pasur besim te pushteti gjyqësor, kurse tani kanë më shumë e do vinë prova. Nuk ka rëndësi sesa do dënohen por të shohim a do dali e vërteta në skenë dhe a do dënohet ai krim? Unë them se po”, përfundoi Ngjela.
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit po afrohen dhe tashmë partitë politike, 11 formacione tashmë të regjistruara për garë në KQZ me kandidatët e tyre të listave të hapura dhe të mbyllura, janë gati për fushatë.
Por cili është projeksioni i avokatit Spartak Ngjela për rezultatin elektoral, si i sheh ai dy kampet e mëdha politike, partitë e vogla dhe kandidatët. Duke bërë analizën sot në Report Tv për gazetarin Arbër Hitaj, Ngjela tha në ‘Studio Live’ se Rama do i fitonte zgjedhjet, edhe sipas sondazheve të publikuara, ndaj ka hartuar listat e kandidatëve në atë mënyrë, duke nxjerrë senatorët në garë të hapur.
Kurse Berisha e di që do i humbasë zgjedhjet, e për këtë shkak ka futur në listat e sigurta besnikët e tij, duke djegur shumë figura të tjera politike.
“Kjo është tendencë politike në të gjithë botën perëndimore demokratike, sepse fituesi e ndjen që do fitojë sërish, të paktën nga sondazhet dhe kërkon të krijojë evolucion të brendshëm figurash. Të shikojmë çdo bëjnë por unë them se si është doktrina politike e botës. Përsa i përket opozitës, në gjendjen që është dhe ato që kemi parë në 20-30 vitet e fundit, në perëndim krizat e opozitës këtë japin, kanë një lider të skaduar që nuk është në pushtet që të rrëzohet dhe vazhdon me inercinë e vjetër, ky është Saliu, e ka bllokuar. Por nuk e kupton se favorizon PS, por kjo pak i intereson se ai është në gjendje të rëndë në funksion të akuzave, edhe si familje, por e kupton se nuk ka shpresë dhe s’ka ditur të mbrohet. Të shikojmë gjyqet dhe konfiskimet që do i bëhen Berishës dhe familjes me anë të proceseve gjyqësore”, tha avokati.
Kurse për listën e kampit të mazhorancës dhe strategjinë e tyre nënvizoi:
“Përsa i përket mazhorancës nuk ka asnjë dyshim se do fitojë pushtetin, unë jam opozitar, por opozita është në krizë dhe atë e krijon Sali Berisha, ka humbur personalitetin edhe në publik. Vazhdon me fansat e tij të PD-së dhe mbahet me faktin si parti e dytë. Ai e di që nuk e fiton. Figurat e reja do e sfidonin, këta të tjerët jo. Nëse do e dinte se do fitonte nuk do vendoste këta figura, do vinte të rinj. Por janë larg pushtetit, sondazhet i dalin keq. Këtë rrugë ka gjetur Saliu, duhet të kishte gjetur një më elokuente”, argumenton ai.
Por a rrezikon PS-ja duke nxjerrë senatorët në listat e hapura? Avokati mendon se edhe në kampin e majtë gjërat nuk shkojnë edhe aq mirë për shkak të përplasjeve të brendshme në aspektin e përgjithshëm.
Ndërsa lëvizjen e Ramës duke nxjerrë senatorët në ballë të elektoratit mendon se e ka bërë për të fituar sa më shumë vota dhe për t’i provuar nëse kanë ende peshë.
“Dua ta shikojmë se si do dali në zgjedhje, se nuk janë të falimentuar, por a do fitojnë në zgjedhje, kjo është pyetja? Ai i ka lënë këta si figura që përpjekja e tyre të thellojë fitoren e PS, kështu kuptohet. Ata kanë falangat e tyre që i përkrahin, socialistët kuptohet dhe ai i ka vendosur në një rresht figurash me anë të të cilave kërkon dy gjëra, të provojë nëse kanë ende fuqi, e nëse e kanë i japin erë të re PS-së. Por ka shenja të jashtme se mund të ketë edhe konflikte të brendshme edhe në PS. Nuk di të them por dinamika politike shkon nga një moment i pjesshëm apo i përgjithshëm dhe pastaj shkon në një moment të përveçëm”, shtoi ish-deputeti demokrat.
Në fund ai e mbyll me analizën se nuk ka pol të tretë që mund t’i rrezikojë dy partitë e mëdha.
“Beteja është vetëm majtas dhe djathtas dhe partitë e vogla mënjanohen. Politika është bipolare, nuk ndryshon, edhe në Perëndim është kjo. Madje edhe në Angli dhe në Amerikë, e majtë dhe e djathtë, nuk ndryshon. Shoqëria shqiptare nuk e ka fuqinë brenda partive të konvertojë zhvillim partiak të brendshëm dhe kështu do vazhdojnë ata që janë”, përfundon avokati.
Komente
