Janë fragmente të cilat janë zbuluar së fundmi gjatë gërmimeve arkeologjike në Kalanë e Gjirokastrës dhe që kanë shërbyer si themele fortifikimi në shekullin VI të erës sonë mbi të cilat është ndërtuar më pas kështjella e qytetit.
Gërmimet arkeologjike synojnë të identifikojnë fazat më të hershme të ndërtimit të kalasë, duke kontribuar në pasurimin e njohurive shkencore dhe të ofertës kulturore për vizitorët.
“Po përpiqemi të gjejmë një pjesë të fortifikimeve, që kanë qenë para se të ndërtohej kalaja mesjetare, që mendohet se mund t’i përkasin antikitetit të vonë. Kjo është faza e dytë e punimeve. Kemi arritur të gjejmë një pjesë muri që i përket antikitetit të vonë. Po vërtetohet që pikërisht mbi këto fortifikime janë ndërtuar muret e kalasë në Mesjetë”, tha Pamela Llapaj, arkeologe.
Sipas kreut të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare të Gjirokastrës, kërkimet arkeologjike do të vazhdojnë gjatë gjithë verës në disa prej zonave kryesore të kalasë së Gjirokastrës.
“Aktualisht kemi evidentuar pjesë të një kulle, e cila daton në antikitetin e vonë, rreth shekullit VI e.s. Ky gërmim do të vazhdojë derisa të evidentohet gjithë formacioni i kësaj kulle”, u shpreh Ardis Duka, kreu i DRKK Gjirokastër.
Kalaja e Gjirokastrës përmendet për herë të parë në vitin 1336. Historianët mendojnë së egzistenca e kësaj kështjelle është më e hershme. Kalaja e Gjirokastrës është monumenti historik më i vizituar në vendin tonë.
Komente
