Sociale

Kamëz/ ‘Po ndërton pranë themeleve të pallatit tonë dhe vjedh energjinë’, 100 familje në Paskuqan denoncojnë kompaninë ‘2N shpk’, peticion Ramës e Bashkisë (VIDEO)

13 Shtator, 19:27| Përditesimi: 13 Shtator, 19:48

  • Share

KAMËZ - Rreth 100 familje të një pallati në Rrugën “Demokracia” në Paskuqan dhe zonës përreth i janë drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe pushtetit vendor me një peticion, ku kërkojnë ndërprerjen e menjëhershmë të ndërtimit të një pallati pranë godinës së tyre të banimit, pasi punimet po kryhen jashtë çdo kriteri dhe rrezikojnë seriozisht stabilitetin konstruktiv të ndërtesës ku ata jetojnë. 

“Po kryhen gërmime në një distancë të papërshtatshme pranë pallatit tonë ekzistues, duke cenuar themelet dhe duke rrezikuar stabilitetin konstruktiv të ndërtesës, në kundërshtim me Ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” dhe aktet nënligjore të zbatimit të tij”,- thuhet në peticion.

Në peticion, më tej thuhet se kompania ndërtuese 2N sh.p.k., me administrator Ndriçim Stojkun, ka kryer lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në kabinën e pallatit dhe zonës përreth, duke ndikuar drejtpërdrejt në furnizimin e këtyre 100 familjeve me energji elektrike, dhe dëmtimin e pajisjeve të tyre elektro-shtëpiake.

Gjithashtu, në peticion theksohet se lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë për nxjerrjen e dherave ka penguar lëvizjen e lirë të banorëve dhe automjeteve, ndërsa u është bllokuar vendi i parkimit.

“Nëse autoritetet nuk ndërhyjnë me urgjencë, situata rrezikon të përshkallëzohet deri në përplasje fizike ndërmjet banorëve dhe përfaqësuesve të firmës ndërtuese, gjë që përbën rrezik të drejtpërdrejtë për rendin publik”,- paralajmërojnë banorët. 

PETICION / ANKIM

Nr. protokolli: ___
Data: __ / __ / 2025

Drejtuar:

Kryeministrit, Z. Edi Rama

Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT)

Policisë Bashkiake Kamëz

Policisë së Shtetit

Bashkisë së Kamzës

Platformës së Bashkëqeverisjes
Objekti: Ankim për veprimtari ndërtimore të paligjshme dhe rrezikim të sigurisë publike në zonën e Paskuqanit
Të nderuar,

Ne, banorët e pallatit dhe zonës përreth në Paskuqan (rreth 100 familje), përmes këtij peticioni ju parashtrojmë shqetësimin tonë serioz lidhur me veprimtarinë e një firme ndërtimi (subjekt ndërtuesi: ________), e cila po zhvillon punime në një parcelë ngjitur me banesat tona.

Nga konstatimet tona rezulton se:

1. Shkelje në fushën e energjisë elektrike – Ndërtuesi ka kryer lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në kabinën e pallatit, pa lejen e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe pa dijeninë e autoriteteve, duke shkelur Ligjin nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”. Ky veprim ndikon drejtpërdrejt në voltazhin e furnizimit të banorëve, duke sjellë rrezik për pajisjet elektro-shtëpiake dhe sigurinë tonë.

2. Rrezikim i sigurisë së objekteve ekzistuese – Po kryhen gërmime në një distancë të papërshtatshme pranë pallatit tonë ekzistues, duke cenuar themelet dhe duke rrezikuar stabilitetin konstruktiv të ndërtesës, në kundërshtim me Ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” dhe aktet nënligjore të zbatimit të tij.

3. Pengim i qarkullimit dhe parkimit të banorëve – Lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë për nxjerrjen e dherave ka penguar lëvizjen e lirë të banorëve dhe automjeteve, ndërsa rreth 100 familjeve u është bllokuar parkimi, duke cenuar të drejtën e tyre themelore për akses në pronë dhe siguri.

4. Rrezik i konfliktit social – Nëse autoritetet nuk ndërhyjnë me urgjencë, situata rrezikon të përshkallëzohet deri në përplasje fizike ndërmjet banorëve dhe përfaqësuesve të firmës ndërtuese, gjë që përbën rrezik të drejtpërdrejtë për rendin publik.

KËRKOJMË:

Ndërhyrjen e menjëhershme për të verifikuar ligjshmërinë e lidhjes elektrike dhe ndëshkimin sipas ligjit të shkelësve.

Kryerjen e inspektimit teknik nga Inspektorati i Ndërtimit dhe IMT për të ndaluar çdo veprim që rrezikon sigurinë strukturore të pallatit tonë.

Marrjen e masave të menjëhershme për garantimin e qarkullimit normal dhe parkimit të banorëve.

Transparencë mbi lejet, aktet dhe dokumentacionin e miratuar për këtë ndërtim.

Sigurimin e rendit publik dhe parandalimin e çdo konflikti të mundshëm ndërmjet banorëve dhe subjektit ndërtues.

Ky ankim bëhet në mbrojtje të të drejtës sonë për jetesë të sigurt dhe pronë të pacënuar, të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 59 dhe neni 41), si dhe nga ligjet përkatëse në fuqi.

Në pritje të një reagimi të shpejtë dhe zgjidhjeje konkrete,

Me respekt,

Banorët e zonës së Paskuqanit
(Nënshkrimet, kontaktet dhe adresat e banorëve)

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    SHBA pezulloi dialogun strategjik me Kosovën, si e vlerësoni?