Prej vitesh nuk është marrë asnjë masë për të shpëtuar urën e Milotit, e cila është në rrezik shembje për shkak të gërryerjes së inerteve në lumin Mat dhe amortizimit.
Kjo është ura e Milotit, ndodhet mbi lumin Mat dhe lidh fshatrat e Lezhës me Milotin e Kurbinin. E ndërtuar në vitin 1987, kjo urë rrezikon seriozisht shembjen për shkak të gërryerjes së lumit nga lavatriçet e rërës. Këmbët e urës kanë dalë në sipërfaqe dhe janë anuar në disa vende, ndërsa hapësirat mes trarëve lidhës janë zgjeruar duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve.
“Për makinat, motorët për të gjitha është problem. 30 vjet demokraci asgjë nuk është bërë për këtë urë. Rrezikon të shembet sepse janë gërryer inertet në lum. Ndërsa këtu lart janë 35 çarje që dëmtojnë makinat”, thanë drejtuesit e mjeteve”.
Ura e Milotit nuk ka njohur asnjë rikonstruksion prej tre dekadash edhe për faktin se 5 kilometra më larg ndodhet ura e rrugës nacionale.
I kontaktuar për këtë çështje prefekti i Lezhës Gjergj Prendi, tha se përmes shkresave ka përcjellë shqetësimin në Autoritetin Rrugor Shqiptar por deri tani asnjë masë nuk është marrë.