Gëte i dashuruar me kulturën e Ballkanit, si i njohu shqiptarët

29 Gusht 2019, 07:29| Përditesimi: 29 Gusht 2019, 07:34

  • Share

Përvjetori i lindjes së Gëtes (Johann Wolfgang von Goethe, 28 Ggusht 1749 – 22 March 1832), këtij vigani të mendimit Europian është gjithmonë një përvjetor që të shtyn të kërkosh lidhjet e krijimtarisë së tij me kulturën e vendit apo të rajonit. Kjo gjë në fakt është kurthi që bien të gjithë studiuesit pasi kur përpiqen të nxjerrin në pah të veçantat, ata gjejnë universalitetin e dijeve të tij. Goethe ishte shumë i apasionuar nga kultura e lashtë dhe e re e Ballkanit, por ai simbolizonte dhe shpirtin racional gjerman. “Im Anfang war die Tat”-“Në fillim ishte vepra", një përkthim i lirë versës së parë të ungjillit sipas Gjonit, (1: 1),  “në fillim ishte fjala” që Goethe e vendos në gojën e Faustit, kur e vë këtë të fundit në dramën “Faust”të përkthejë Ungjillin sipas Gjonit(Vargu. 1237). Kjo frazë u kthye në moto e filozofisë së tij që në fakt shkundi Gjermaninë e shekullit të XVIII dhe gjithë Europën.

Goethe i njohu tërthorazi shqiptarët nëpërmjet krijimtarisë së Lord Byron-it, të cilin ai e admironte dhe kishte korrespodenca të rregullt më të. Goethe e konsidideronte Byron-in si një nga poetët që do i mbijetonte gjithmonë kohërave. Goethe adhuronte talentin poetik të Byron-it për të cilin shkruante  se kur krijonte ai arrinte gjithçka dhe mund të thuhet me bindje se frymëzimi atij i zëvendësonte të menduarit thellë. Ai ndjente vazhdimisht nevojën për të krijuar dhe gjithçka që krijonte, gjithçka që buronte prej zemrës së tij ishte e mrekullueshme. Ai i krijonte veprat si gratë që krijojnë fëmijët e bukur: pa menduar dhe pa ditur qysh. Ai është talent i madh i lindur, dhe nuk di njeri tjetër me fuqi poetike më të madhe. Për perceptimin e së jashtmes dhe për aftësinë e depërtimit në të kaluarën ai është po aq i madh sa edhe Shekspiri.(Gëte, Vepra të zgjedhura , Volumi 4).

Lidhjet e Gëtes me Bajronin

Goethe  i kish përpirë të gjitha veprat e Byron-i dhe në bisedë me sekretarin e vet Ekerman, ai pranonte se përshkrimet poetike të tij ishin shumë afër afër realitetit.

-      Edhe tek Bajroni - thashë unë – gjej shpesh pjesë krejtësisht të drejtpërdrejta, të cilat na japin vetëm pasqyrimin e sendit dhe na zgjojnë ndjenjat e brendshme sikundër bën pikërisht dhe vizatimi i një piktori të mirë, veçanërisht i pasur me pjesë të tilla është “Don Zhuani”.

-      Po – pranoi Gëtja – atje Bajroni është me të vërtetë i madh, herë – herë jeta reale jepet prej tij me një lehtësi që të duket si improvizim. Tek “Don Zhuani” këto pjesë nuk më kujtohen, por tek poemat e tjera ato kanë mbetur në mend, veçanërisht skenat detare, ku kohë më kohë një valë vezullon tej; aq mirë është bërë kjo, sa të duket se po nuhat edhe ti ajrin e detit. (Gëte, Vepra të zgjedhura , Volumi 4). Një nga poemat e tjera ku ka skena të mrekullueshme të përshkrimit të detit është  dhe “The Pilgrimages of Childe Harold", poema e cila e bëri të famshëm Bajronin në 1812. Sigurisht përveçse pjesëve të përshkrimeve detare, Goethe kish lexuar edhe 160 vargjet e Kantos II, ku përmes një ligjërimi orientalist flitet për shqiptarët. Adhurimi i tij për Bajronin ishte një adhurim intelektual dhe pa komplekse kur ndër të tjera do të shprehej.  M’u desh një përfaqësues i kohëve të reja poetike – tha Gëtja – dhe kush mund të ishte tjetër veç tij që pa dyshim duhet parë si talenti më i madh i shekullit? Për më tepër Bajroni nuk është as ithtar i antikitetit, as i romantizmit, ai është mishërimi i kohës sonë. Një i tillë m’u desh, dhe për synimin tim artistik më shkonte si jo më mirë natyra e tij gjithmonë e pakënaqur dhe karakteri i tij luftarak, që edhe e çoi të vdesë në Mesolongji. Të shkruash një monografi për Bajronin nuk është aspak një punë e volitshme dhe e këshillueshme; por ta nderosh në ndonjë rast dhe të tregosh meritat e tij të shumta, kjo është një gjë që unë do të vazhdoj ta bëj gjithmonë.( Gëte, Vepra të zgjedhura , Volumi 4). Kjo lloj modestie dhe inkurajimi për shkrimtarët e tjerë është shumë e radhë në kohën sepse Goethe si shkroi për Bajronin me të njëjtin adhurim shkroi dhe për Volterin dhe Shilerin.

Vet Goethe shquhej për një modesti në trajtimin e hierarkive kulturore në Europë duke dëshmuar që ai mbi të gjitha ishte një intelektual kozmopolit dhe qytetar i "polisit" të mendimit. Ja si shprehej ai për kulturën gjermanike të kohës së vet dhe vendin e saj në lidhje me kulturën antike. “Ne [d.m.th., gjermanët] me të vërtetë kemi arritur në thuajse këto njëqind vjetët e fundit të lëvrojmë siç duhet kulturën tonë; e megjithatë, duhen edhe nja dy tre shekuj që kultura jonë kaq shumë e lëvruar të arrijë të bëhet kulturë e të gjithëve; deri përpara këtij çasti, të gjithë do të jenë thjesht barbarë”.

Goethe ishte mendjehapur edhe ndaj kulturës lindore dhe formave të ndryshme poetike të lëvrimit të kësaj kulture. Ai njihte mirë Rumiun dhe Sadiun dhe Hafizin  dhe vet nën ndikimin e poezisë orientale shkroi një Divan Perëndimoro-Oriental (1819-1827). Goethe e admironte shumë Hafizin, i cili ishte edhe një simbol i shpeshtë humanizmi në poezinë e tij. Në poezinë “Ribashkimi” për Hafizin,  Goethe shkruan:

‘Hafiz, me ty të jem kam mall,

Në garë! Gaz e dhimbje mal

Të shkulen, ne u bëjmë ballë!

Të dua e të pi ngaherë

Si ti, se ç’krenari e rrallë.”(Halil Ibrahimi, Gëte, Islami dhe poezia)

Në këtë mënyrë ai ishte bashkëkohës në mendim me Bajronin që shkroi "Oriental Tales" në 1816 dhe Pushkinin që shkroi për "Baçevasarajin" në Krime në 1821-1823. Orientalizmi si rrymë e mendimit  në Evropë fillon ndoshta që  në kohën e kryqëzatave dhe romancave mesjetare. Në periudha të ndryshme ka patur interesa dhe qëndrime të ndryshme ndaj Orientit dhe Orientalizmit, por ai u bë i njohur gjatë Romanticismit sepse Orienti ishte formë sublime e tij. Romantizmi gjerman ka konfliktin e jetës së përbrendshme të individit, dramën e njeriut kundrejt mjedisit. Gëtja i madh, duke mbështetur filozofinë e Herderit për kulturat popullore si një vëllazëri universale, shpiku termin “Letërsia botërore”, ku përkatësia etnike e poetëve nuk kishte rëndësi absolute. Gëtja, që admiroi Bajronin, megjithatë qe ai që tha “klasike unë quaj të shëndoshën, romantike të sëmurën”. Në të vërtetë Fausti, i Gëtes është i ravijëzuar si një kryehero romantik.( Moikom Zeqo:Bajroni dhe shqiptaret.)

Pse Gëte nisi të adhuronte letërsinë lindore

Shkrimtari egjiptian Taha Husein, disa herë kandidat për çmimin Nobel në letërsi thotë: ‘Divani nuk është thjeshtë një ngjarje e rëndësishme në historinë letrare të Gëtes së madh; ajo është një ngjarje me rëndësi në historinë e letërsisë europiane’.(Halil Ibrahimi, Gëte, Islami dhe poezia). Përcaktimi i Husein është nga më të saktit përreth lidhjeve të Goethes me qytetërimin lindor. Për këtë çështje është debatuar shumë ku admirimi i Goethe-s për letërsinë lindore i është veshur dhe dëshira e tij për të njohur me detaje Islamin. Në fakt kjo dëshirë shkonte deri në kufijtë e njohjes dhe subjektet e tij orientaliste ishin më tepër në frymën e relativizmit kulturor që mbizotëronte si diskurs në krahasimet Lindje-Perëndim në Europën e asaj kohe. Prej esesë së njohur të Michel de Montaigne “Kanibalët” në Europë ishte krijuar një diskurs që admironte qytetërimet e tjera jashtë kontinentit duke kritikuar vet qytetërimin europian si shkatërrues dhe të mbizotëruar nga lufta. Kështu p.sh dhe Volteri ka shkruar për qytetërimin kinez me fjalët më të mira duke vlerësuar strukturën sociale, arritjet e hershme në teknologji dhe përkushtimin e tyre ndaj filozofëve, Konfucizmit. Gjithsesi në këto tekste të frymëzuara nga të famshmet “Letrat Jezuite”, nuk ishin gjithmonë për Kinën. Nëse ne shikojmë me kujdes në aspektet e kulturës që ai lavdëron, mund të shikojmë se ai i zgjodhi ato saktësisht për të evidentuar problemet  në këto fusha në vendin e vet , në  Francë. Nuk mund ti shpëtojë syrit të thjeshtë të lexuesit aluzioni se Kina është e zhvilluar sepse respekton filozofët, një respekt dhe admirim që Volteri dëshironte ta shihte dhe në Francë. Po kështu dhe Montesque ku shkroi

 “Letrat Persiane” në 1721 për të krahasuar ligjet dhe sistemin e drejtësisë në Francë e kërkoi nëpërmjet satirës  në mendimin e dy të huajve dhe vendin ideal të parimeve universale të drejtësisë e gjeti jashtë kontinentit të vet.

Goethe nuk ishte nënvlerësues ndaj traditës. Një nga shkrimtarët që ai adhuronte ishte Shekspiri. Në bashkëbisedimin me sekretarin e tij Ekerman ai do të shprehej: -“Makbethi”, është për mendimin tim pjesa më e mirë e Shekspirit në kuptimin e plotësimit të kërkesave të skenës. Por nëse doni të njihni shpirtin e tij të lirë merrni e lexoni “Troilin dhe Kresidën”, ku ai ka trajtuar sipas mënyrës së vet subjektin e “Iliadës”.(Gëte, Vepra të zgjedhura , Volumi 4).Një moment tjetër Goethe do të shprehej për veprën e Shekspirit, se ai na shërben mollë të arta me tabaka argjendi. Duke studiuar veprat e tij edhe ne bëhemi me tabaka të argjendta, por e keqja është se mund të vemë në të vetëm patate.(Gëte, Vepra të zgjedhura , Volumi 4)Kjo modesti për veprën e vet letrare, në fakt është e tepruar sepse ai na ka dhuruar vepra-mollë që mund të rrinë shumë mirë në tabakatë e argjendta të Shekspirit.

Gëte dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare

Vitin që vjen do të jetë 270-vjetori i lindjes së Goethes, një përvjetor që do të shënohet në gjithë botën. Influenca e Goethe-s në mendimin shqiptar ka qenë e pamatë, pasi me veprën e tij janë marrë një sërë figura të shquara të kulturës sonë si: Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi, Sejfulla Malëshova, Krist Maloki, Lazër Shantoja, Zef Simoni, Vangjel Koça, Branko Merxhani, Shevki Selenica, Aleks Buda, Hasan Mekuli, Klara Kodra, Shpëtim Çuçka, Pertef Kruja, Fatos Arapi, Petraq Kolevica, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Petro Zheji, Bujar Doko, Robert Shvarc, Perikli Jorgoni, Aristidh Ristani, Visar Zhiti, Vehbi Bala, Jorgo Bllaci, Anila Omari etj. Kohët e fundit në Prishtinë është botuar një libër i studiueses dhe pedagoges së gjermanistikës në Universitetin e Prishtinës Albuelena Blakaj, “Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare”, shkurt 2018. Sipas saj ky libër e ka zanafillën nga eseja që  titull fillestar kishte “Gëte shqiptar”. Ky titull shprehte dëshirën time të përvetësimit të plotë letrar e kulturor, por jo edhe realitetin. Megjithatë, duhet të jemi të gëzuar që shkrimtari i madh, universal, shkrimtari i Njeriut të emancipuar, është edhe i shqiptarëve, ashtu siç është i tërë botës së civilizuar, i kulturave që e kanë kapërcyer gardhin e ngushtë nacional dhe janë bërë pasuri e të gjithëve.(Koha.net.Gëte, edhe i shqiptarëve).Ky konstatim i shkon më tepër për shtat krijimtarisë dhe personalitetit të Goethe-s, pasi asnjë më tepër se Goethe nuk e plotëson figurën intelektualit kozmopolit të përbotshëm që mbizotëroi me krijimtarinë e vet në mendimin europian në fund të shekullit të XVIII dhe në fillim të shekullit të XIX në Europë. Kjo veprimtari shumë e larmishme e personaliteteve të kulturës sonë për sa i përket figurës së Goethe-s, sidomos gjatë periudhës së letërsisë së Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe në vitet 50’-60’ të shekullit të shkuar duhet analizuar në përvjetorin e ardhëm sesa ka shërbyer për të kumtuar tharmin e veprës së Goethe-s por edhe për të përqasur vlerat universale të qytetërimit europian në atë shqiptar.

(Titujt dhe mestitujt janë redaksionalë-Dh.H.)


Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?