Në13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka shprehur urimet e saja.
Ajo shkruan se 17 shkurti, 13 vite më parë ka qenë kurorëzimi i aspiratave shekullore për liri, pavarësi, drejtësi e dinjitet njerëzor për të cilat bënë sakrificat më sublime mijëra djem e vajza.
“Në 13 vitet e pavarësisë, përparimi i Kosovës është mbresëlënës në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, dhe në afirmimin si një partner serioz në rajon që i kontribuon paqes, sigurisë dhe integrimit të tij në BE”, shkruan ajo.
Kryemadhi në postim ka kujtuar edhe zgjedhjet e 3 ditëve më parë, ku sipas saj Kosova dha një shembull tjetër të respektit ndaj shtetit dhe vullnetit të qytetarëve të saj.
“Unë besoj dhe uroj që përballimi i pandemisë, zhvillimi i mëtejshëm ekonomik e social, përparimi me agjendën e integrimit në BE, si dhe marrëveshja e normalizimit me Serbinë që ka në thelb njohjen reciproke, janë sfida që Kosova do t'i përballojë në mënyrë të suksesshme.”, shtoi kryetarja e LSI-së.
Lajmi kryesor:
13 vjet nga shpallja e pavarësisë, figurat politike shqiptare urojnë Kosovën
J.GJ./ReportTv.al