Dështimi në Euro 2024 dhe eliminimi në fazën e 1/8 ka bërë që te Italia të marrin masa. "Corriere dello Sport" bën me dije se ndryshimet fillojnë nga stafi dhe legjenda Gianluigi Buffon do jetë Drejtori Sportiv i ekipit.
Buffon u takua me Gravinën vetëm pak ditë pas eliminimit të Italisë nga Euro 2024 dhe ra dakord të mbetej i përfshirë në projekt në një rol të ri. Gravina foli me gazetarët të martën, duke thënë se trajneri Luciano Spalletti është ‘më i zhgënjyeri’ nga eliminimi.
"Ne do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjet më të mira për të forcuar aspektin teknik të ekipeve tona kombëtare. Përvoja e Buffon do të jetë e dobishme. Ne do të flasim me Spallettin, duke shpresuar të rikuperojmë disa lojtarë të rëndësishëm që nuk i kishim në Euro dhe shpresojmë se mund të fillojmë sërish me entuziazmin që na mungonte në Gjermani. Nuk mund ta besoj se ky ishte niveli ynë", tha Gravina, cituar nga “Corriere dello Sport”.