Në vitin 1994, fotografi italian Gianni Bellesia mbërriti për herë të parë në Shqipëri, duke shoqëruar dy kamionë me ndihma humanitare për një popull të varfër, që sapo kishte hyrë në rrugën e re të demokracisë.
Pas më shumë se tre dekadash, ai është rikthyer sërish, këtë herë jo me ndihma, por me art: një ekspozitë me 30 fotografi të realizuara gjatë atyre viteve të vështira, të cilat sjellin në kujtesë realitetin e Shqipërisë së pastranzicionit.
“Kjo është ekspozita e parë që vij në Shqipëri por hera e tretë që vij këtu. Në vitin 1994 iu përgjigja thirrjes së priftit franceskan, fra Sergio për të sjellë ndihma. Asokohe po ndërtonte në kishë të vogël dhe ndihmonte njerezit në nevojë. Njerëzit që unë i kam njohur në atë kohë kanë qenë të mrekullueshëm dhe na mirëpritën në banesat e tyre. Asokohe nuk kishte drita në Shqipëri por për ne ishte përvojë e jashtëzakonshme sepse njerëzit ishin të vertetë”, shprehet Gianni Bellesia.
Pamjet e tij pasqyrojnë jetën në zonat e thella të Nënshatit, por edhe në Durrësin bregdetar, ku ende shiheshin karroca duke lëvizur në qendrën historike të qytetit. Në kujtimet e Bellesias, shqiptarët i kishin lënë mbresë si njerëz të buzëqeshur e mikpritës, ndërsa sot ai sheh me admirim ndryshimin dhe rilindjen e vendit.
“Një gjë që më ka mbetur në mendje: Dëshira e të rinjte për të emigruar dhe mbështetja që u jepnin të moshuarit. Të moshuarit në Shqipëri, ndryshe nga italianët e fund shekullit të XIX, ishin të lumtur se fëmijët po emigronin sepse besonin se ata do të sillnin njohuri, kulturë, teknologji në vendin e tyre. Dhe duke parë këtë vend që ka rilindur besoj që ajo profeci e të moshuarve shqiptarë është përmbushur plotësisht dhe kjo më bën të lumtur. Në 30 vjet ju keni bërë gjëra të mëdha. Shpresoj që këto foto të jenë një kujtesë për brezin e ri”, tha më tej.
Ekspozita “Shqipëria 1994, një popull në lëvizje” u çel me mbështetjen e Foto Klubit të sapokrijuar në Durrës, nën drejtimin e fotografit Palush Jorgji, i cili theksoi se tashmë edhe Shqipëria i është bashkuar vendeve të tjera të rajonit që kanë klube profesionistësh të këtij arti.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij, shoqata “Durrësi Autokton” e nderoi Bellesian me titullin “Mirënjohja e qytetit”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë fundjavës.
Komente
