Giorgio Armani

Bota

Giorgio Armani ka lënë 2 testamente të fshehta, hapen zarfet sekrete të legjendës së modës

11 Shtator, 16:39| Përditesimi: 11 Shtator, 16:41

  • Share

ITALI - Giorgio Armani, që u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare, ka lënë pas vetes dy testamente të hartuar me dorë, të mbyllur në zarfa të vulosur.

I pari mban datën 15 mars dhe i dyti datën 5 prill të këtij viti. Dokumentet janë hapur dhe janë bërë publike më 9 shtator nga noterja Elena Terrenghi, sipas të dhënave të arkivit noterial të Milanos. Përmbajtja e tyre për momentin nuk është bërë publike.

Armani, i njohur për përpikmërinë dhe përkushtimin ndaj çdo detaji, e kishte planifikuar me kujdes të jashtëzakonshëm procesin e trashëgimisë. Midis marsit dhe prillit ai kishte dorëzuar dy testamente, përmbajtja e të cilave ishte e njohur vetëm prej tij deri para pak ditësh.

Synimi i tij ishte që të siguronte një të ardhme të qëndrueshme për grupin "Armani", duke vendosur një rol qendror për Fondacionin Armani, krijuar rreth dhjetë vite më parë së bashku me bashkëpunëtorin besnik, Leo Dell’Orco, si dhe bankierin Irving Bellotti.

Duke qenë se Armani nuk kishte fëmijë, ai kishte lirinë të shpërndante pasurinë e tij pa kufizimet që zakonisht parashikon ligji për trashëgiminë ligjore për të afërmit më të ngushtë si bashkëshorti/ja apo fëmijët.

Trashëgimtarët kryesorë të pasurisë dhe grupit “Armani” do të jenë tre nipërit e tij; Silvana dhe Roberta, vajzat e vëllait të ndjerë Sergio, Andrea Camerana, djali i motrës Rosanna, si dhe Leo Dell’Orco.

Trashëgimia përfshin jo vetëm 99.9% të aksioneve të grupit të njohur të modës, por edhe një pasuri të konsiderueshme të paluajtshme: vila në ishullin Pantelleria, rezidenca verore në Forte dei Marmi ku ndodhet edhe lokali i blerë së fundmi “La Capannina”, shtëpia në rrugën Borgonuovo në Milano, Villa Rosa në zonën Oltrepò Pavese, si dhe prona të tjera në Saint Moritz, Paris dhe Saint Tropez.

Përveç tyre, një pjesë e trashëgimisë mund të përfshijë edhe koleksionin e veprave të artit që kishte grumbulluar gjatë jetës.

Mendohet gjithashtu se një pjesë e testamentit mund të përmbajë donacione për organizata bamirësie apo kauza sociale që ai ka mbështetur ndër vite. /Ansa

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni ndryshimet që bëri Rama në kabinetin qeverisës?