Nisja e 'Giro d’Italia 2025' nga Shqipëria ka bërë jehonë në shumë shtete të ndryshme, ndërsa është publikuar nga 700 burime informacioni.
Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama ditën e sotme, përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se ky është një nga evenimentet sportive më të ndjekura në botë.
'Dhe me lajmin se “Nisja e Madhe - Grande Partenza” e Giro d’Italia nga Shqipëria, majin e ardhshëm (një nga evenimentet sportive më të ndjekura në botë, me mbi 800 milionë shikues përmes ekraneve në 200 vende të botës), është publikuar në 70 shtete të ndryshme nga 700 burime informacioni, uroj ta keni sa më të paqtë këtë javë të fundit të vitit’, shkruan ai.
“Giro d’Italia”, një nga aktivitetet më të famshme sportive në botë, zgjodhi Shqipërinë mes shumë kandidatëve për të bërë “La Grande Partenza 2025” – “Nisjen e Madhe 2025”, e cila do të transmetohet drejtpërdrejtë në mbi 200 televizione të botës.
“Giro d’Italia” lind në vitin 1909 së bashku me “Gazzetta dello Sport” dhe është një nga garat më të rëndësishme çiklistike botërore. Qindra çiklistë do të jenë të pranishëm përgjatë një jave duke marrë pjesë në shumë evente.
Ky është një event që në 114 vite histori të garës vetëm 14 herë është zhvendosur jashtë kufijve italianë. Në Shqipëri pritet të zhvillohen tri etapat e para, për të vijuar më tej aktivitetin në Itali.