Giro d'Italia

Sport

'Giro d'Italia' fillon nga Shqipëria, sot prezantimi i 23 skuadrave në 'Sheshin Skënderbej'! Kush janë favoritët

7 Maj, 10:29| Përditesimi: 7 Maj, 10:37

  • Share

TIRANË - 'Giro d'Italia', gara e famshme e çiklizmit për herë të parë tre etapat e para të nisjes do i fillojë nga Shqipëria. Nga datat 9-11 maj Shqipëria do jetë epiqendra e 180 çiklistëve më të mirë të botës, ndërsa ky është edicioni i 108 i kësaj gare.

Sot në orën 18:30 (e mërkurë), 23 skuadrat pjesëmarrëse do të prezantojnë çiklistët e tyre në "Sheshin Skënderbej", të cilët po bëhen gati për garën e cila do të jetë plot 3.413 km e gjatë dhe që do të zgjasë për tri javë edhe në Itali.

Përtej prezantimit dhe masave të marra nga Policia e Shtetit për mbarëvajtjen e këtij eventi, vëmendja është edhe te çiklistët që mund të dalin fitues.

1) Primoz Roglic (Red Bull–Bora–Hansgrohe)

Primoz Roglic është favoriti i madh së bashku me Ayuso. Slloveni ëshhtë 35 vjeç dha ka fituar një herë “Giro d’Italia” në 2023-in. Ai ka fituar edhe katër herë Xhiron e Spanjës. Kapiteni i Red Bull–Bora–Hansgrohe mund të mbështet te shokët e skuadrës si Jai Hindley (fitues i “Giro d’Italia 2022”) dhe Daniel Felipe Martinez (i dyti në “Giro d’Italia 2024”).

2) Juan Ayuso (UAE Team Emirates XRG)

Ayuso është rivali i parë i madh i Primoz Roglic për triumfin final edhe pse është vetëm 22 vjeç. Spanjolli ka nisur mjaft mirë sezonin duke fituar deri më tani pesë gara (mes tyre Trofeun Laigueglia dhe “Tirreno Adriatico”). Edhe Ayuso ashtu si Roglic mund të mbështet te një ekip i fortë. Përveç ekspertëve si Adam Yates, Rafal Majka dhe Brandon McNulty ekipi i “UAE Team Emirates XRG” do të rreshtojë edhe një tjetër debutues me shumë potencial siç është Isaac Del Toro.

3) Adam Yates (UAE Team Emirates XRG)

32-vjeçari rikthehet në Giro d’Italia pas vendit të nëntë që mori në këtë garë në 2017-ën. Garuesi ekspert nga Britania e Madhe do të ndihmojë Ayuso në betejën me Primoz Roglic, por me kalimin e etapave mund të kthehet ai në pretendentin e madh për fanellën rozë.

4) Antonio Tiberi (Bahrain Victorious)

Antonio Tiberi është 23 vjeç dhe prezantohet në “Giro d’Italia 2025” me objektivin për t'u ngjitur në pod. Kapiteni i “Bahrain Victorious” do të duhet të bëjë llogaritë me pritshmëritë e larta që kanë ngritur për të pas vendit të parë që mori vjet në “Giro d’Italia 2024” në klasifikimin e të rinjve. Një vit më parë ai mbylli në vend të pestë këtë garë në klasifikimin e përgjithshëm. Përkrah tij do të jenë edhe çiklistë ekspertë si Damiano Caruso dhe Pello Bilbao.

5) Wout van Aert (Visma-Lease a Bike)

Wout van Aert është në eksperiencën e parë të tij në një garë siç është ajo e “Giro d’Italia”. Mendohet se objektivi i tij është për të dhënë spektakël pa menduar shumë për klasifikimin e përgjithshëm. Karakteristikat e tij e bëjnë një çiklist të rrezikshëm në garat që do të vendosen me sprint në finish dhe ato kodrinore. Por Wout van Aert ka treguar në muajt e fundit se sillet mjaft mirë edhe në garat me pendenca të mëdha.

TRE ETAPAT NË SHQIPËRI

ETAPA 1: 9 Maj / Durrës - Tiranë

Xhiro do të nisë rreth orës 13:10 që nga Porti i Durrësit, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në Durrës nga ku do të startojë gara. Sportistët do të vijojnë drejt Malit të Robit, në Kavajë, Rrogozhinë, Peqin, Papër, Bradashesh, Gracen, Mullet, TEG, Sauk, Surrel, Tiranë. Në Tiranë, ata do të rrotullohen nga Surreli, në Rrugën “Xhanfize Keko”, drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pastaj sërish në rrugën e “Rexhekrit”, drejt Surrelit, në rrugën “Xhanfize Keko” e në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:03 në Sheshin “Nënë Tereza”.

ETAPA 2: 10 Maj / Tiranë - Tiranë

Gara nisë që nga Sheshi “Skënderbej” rreth orës 13:30, në drejtim të Bulevardit “Gjergj Fishta”, pastaj nëpërmjet Bulevardit “Bajram Curri” drejt sheshit “Nënë Tereza”, në Rrugën e “Elbasanit” drejt Saukut, rikthehen në Bulevardin “Bajram Curri”, nga Ura e Brrylit drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri tek Sheshi “Nënë Tereza”, ku rreth orës 17:15 është parashikuar të përfundojë xhiroja.

ETAPA 3: 11 Maj / Vlorë - Vlorë

Xhiro do të nisë rreth orës 13:15, nga Lungomare, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në rrugën “Demokracia”, nga ku do të startojë gara. Sportistët do të vijojnë itinerarin drejt Kotës, në Brataj, drejt Qeparos, më pas nga Porto Palermo në Himarë, e më pas do të kthehen nga Qafa e Llogarasë, drejt Orikumit, e nëpërmjet Rrugës “Murat Tërbaçi” do të kthehen në Vlorë. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:26 në Rrugën “Sadik Zotaj”.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?