Sport

‘Giro D’Italia’ në Shqipëri, Anxhaku për Report TV: Ekipi Kombëtar garon në shenjë nderimi, etapa e Tiranës me adrenalinë të madhe

8 Maj, 12:22| Përditesimi: 8 Maj, 17:13

  • Share

“Giro D’Italia’ është kartolinë e turizmit që do të tregojë se kush është Shqipëria,”-u shpreh fillimisht presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit Skënder Anxhaku.

Për Report TV, presidenti i Federatës Shqiptarë të Çiklizmit Skënder Anxhaku tregon edhe një detaj të rëndësishëm sesi është përfshirë ekipi kombëtar, i cili do të garojë në shenjë demonstrative.

“Ne do të marrim pjesë dhe do ta hapim me ekipin kombëtar shqiptar në ditën e parë nga Durrësi, në drejtim të Kavajës, Rrogohinës, rrugës së vjetër nga Krraba. Do bëhet mbyllja këtu në Tiranë. Është nder për ne sepse statuti i ‘Giro D’Italias’ nuk e lejon që të marrim pjesë dhe të kualifikohet ekipi ynë sepse nuk jemi profesionistë, por amatorë. Është nder dhe respekt që na bëjnë organizatorët e ‘Giro D’Italias’,”-u shpreh Skënder Anxhaku, president i FSHÇ.

Anxhaku pohon se organizimi i ‘Giro D’Italias’ në Shqipëri është një meritë e jashtëzakonshme për atë që e mundësuan, pasi kompeticione të tilla as që mund të imagjinoheshin në vendin tonë. Sakaq ai tregoi edhe etapat më të bukura dhe më me adrenalinë në ‘Hapjen e Madhe’.

“Një nga gjërat më të bukura e Giro D’Italias është gara e kronometrit në Tiranë që do shihet në mënyrë të shkëlqyer. Kjo në ditën e dytë, ndërsa në tretën qershia mbi tortë është ngjitja e Llogarasë,”-tha Skënder Anxhaku, president i FSHÇ.

‘Giro D’Italia’ do të nisë të premten e 9 majit në Durrës për të përfunduar në Tiranë, ndërsa etapa e dytë mbahet në kryeqytet me 10 maj. Më pas mbyllja në Shqipëri do të jetë më 11 maj në Vlorë, me çiklistët të cilët më pas do të zhvendosen në Itali.

Ne.k./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?