Me entuziazmin e madh të publikut kryeqytetas, por edhe me shumë adrenalinë në vijën e finishit është mbyllur etapa e parë e ‘Giro D’Italias’ në Shqipëri. I pari që veshi fanellën rozë të fituesit ishte Mads Petersen i ekipit Lidl-Trek, i cili la pas rivalët me fotofinish.
Danezi përshkroi 160 kilometrat nga Durrësi, në Elbasan dhe më pas në Tiranë pa u shkëputur nga kryesuesit, ndërsa në kilometrat e fundit bëri diferencën. Një incident u shënua në zonën e Freskut, ku për shkak të përplasjes, 3 çiklistë u rrëzuan në tokë. Dy prej tyre, spanjolli Mikel Landa me shumë eksperiencë dhe pritshmëri për ‘Giro D’Italian’, por edhe Bouchard Groffrey u transportua drejt spitalit.
Për t’u theksuar se etapa e parë u ndoq nga shumë qytetarë përgjatë itenerarit, ndërsa pritja në sheshin ‘Nënë Tereza’ ishte e jashtëzakonshme. Një numër i lartë turistësh për të parë nga afër elitën e çiklizmit.
“Kam udhëtuar nga Londra vetëm për këtë event. Një atmosferë e pabueshme dhe doja të mos përfundonte. Është hera e parë që e shoh ‘Giro D’Italia’ live,”-u shpreh një turist anglez.
“Jam nga Holanda. Është hera e dytë që vij këtu dhe rastisi të ndjek Giro D’Italian,”-tha një tusit nga Holanda.
“E kam parë më parë në shtëpi por kurrë live. Them se ishte shumë bukur ta shihja live. Më pëlqen që ndodhi në Shqipëri,”-u shpreh një turiste nga Holanda
“Besoj nuk do të ketë më shans që Giro D’Italia të vijë në Shqipëri sepse ku ka qenë më parë?! Në 3-4 vende. Ky ishte fat për ne,”-u shpreh një fanse shqiptare e 'Giro D'Italias'.
“Vij nga Bullgaria dhe kombinova pushimet me Giro D’Italian,”-tha një turiste bullgare.
Etepa e dytë e ‘Giro D’Italias’ do të zhvillohet në Tiranë dhe do të jetë me kronometër, teksa do të ketë një gjatësi prej 13.7 kilometrash. Në kryeqytet bllokimi i qarkullimit do të nisë prej orës 10:00 deri në orën 18:00, ndërsa gara është parashikuar në 13:30 dhe të përfundojë në 17:15. Etapa e tretë e ‘Giro D’Italias’ në Shqipëri do të jetë në Vlorë me 11 maj.
Komente
