Belind Këlliçi, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” të udhëhequr nga Ilir Meta dhe me ‘vartës’ të parë Sali Berishën, është kthyer në qendër të debatit politik të këtyre ditëve. Këlliçi kishte shumë kohë që kishte filluar fushatën në emër të koalicionit Meta-Berisha, dhe kishte kaluar si pa ndjerë tërë veprimtaria e tij prej gati një muaji. Ishte thuajse inegzistent, përpos disa videove që shpërndante në rrjetet sociale apo në ndonjë media afër opozitës. Por u desh premtimi ‘macro’ për autobusë falas në kryeqytet dhe sidomos hyrja me një furgon të mbuluar me etiketa “falas’ në stadiumin ‘Air Albania’ ku u bë hapja e fushatës së “Bashkë Fitojmë”, për të marrë vëmendje mediatike.
Që të kuptohemi, s’bëhet fjalë që ky premtim elektoral i Këlliçit, që garon përballë Erion Veliajt të PS, të ketë krijuar ndonjë impakt të madh çka mund të përmbysë rezultatin. Pasi duket se tashmë bëhet fjalë vetëm se sa e thellë do jetë humbja e këtij kandidati përballë rivalit socialist dhe jo që të fitojë. Pra nuk bëhet fjalë për impakt pozitiv, që të përkthehet në vota në këtë rast.
E themi këtë sepse pretendojmë që në Tiranë ka ardhur elita e vendit, me dominancë të fortë të elektoratit gri që përcakton dhe balancën e fitores, elektorat i cili nuk mund të gënjehet lehtë me premtime që dhe vetë autori është i bindur se nuk realizohen. Fundja shqiptarët nga natyra i tremben gjithçkaje falas, pasi në themel na është i fiksuar se gjëja falas e ka një kleçkë brenda.
Më shumë kjo temë debati ka shërbyer për të ‘koaliduar’ batutat në fushatë, ka shërbyer si burim humori për rrjetet sociale dhe për ndonjë emision humori në ekranet shqiptare, që shtuar këtu dhe ‘shpimin’ e sheshit “Skënderbej”, premtim i Këlliçit dhe ky, të marrë dhe formën e plotë të një ‘sage’ humori të zi që po qarkon tashmë në tryezat dhe ambientet shqiptare. Por njëherësh dhe i ka dhënë ‘akses’ të fortë përfaqësuesve të mazhorancës që të evidentojnë mungesën e seriozitetit të kandidatit të “Bashkë Fitojmë” në Tiranë, duke u kujtuar qytetarëve kryeqytetas herë pas here ‘paketë’ dhe premtimin e ish kreut të bashkisë dhe të PD Lulzim Basha për tramin në Tiranë.
Dhe si të mos mjaftonin këto premtimet ‘stratosferike’ që konsolidojnë mendimin qytetar, të reflektuar dhe në sondazhet serioze që janë zhvilluar deri më tani, se janë premtime të një kandidati humbës që premton “qiellin” pasi e di që s’do ketë pushtet në dorë, debati për Këlliçin vijoi me mungesën e diplomës së shkollës së mesme, për të vijuar më pas me një poster elektoral të vendosur në sytë e qytetarëve, fëmijë, të rritur, gra dhe pleq, ku kandidati i Metës dhe Berishës shfaqej me duart e ngritura lart, ku ‘vezullonin’ gishtat e mesit të secilës dorë, po të ngritur lart.
Ideja fëmijërore por dhe e pahijshme e ideologëve të fushatës së Këlliçit me sa duket ka qënë nxjerrja e ‘gishtit të mesit’ korrupsionit, i cili për hir të së vërtetës nuk luftohet as duke i nxjerrë gjuhën, as gishtin e mesit, dhe as duke përdorur tërë fjalorin e ndyrë të botës në këtë rast.
Korrupsioni, asnjë shtet sado demokratik dhe me ligje të forta qoftë nuk e zhduk, luftohet me strategji, me alternativë ndryshe që paraqet një kandidat apo forcë politike që e mbështet, duke krijuar besimin se nesër në pushtet do të qeveriset më mirë përmes institucioneve që bëjnë punën mirë. Pra duke përdorur dhe një shembull se si qeveriset më mirë në pushtetin vendor, gjë që opozita ka treguar se në këto 30 vite nuk e ka një bashki apo komunë që ta nxjerrë në sytë e shqiptarëve si një model të qeverisjes së mirë vendore. Nuk e ka. Tiranën jo e jo kur e kishte nën qeverisjen e vet, si me ata që kanë qënë dikur para Ramës e s’po ua përmend emrat, si me Bashën më 2011-2015.
Kuptohet korrupsionin e luftojnë organet ligjzbatuese, duke filluar nga strukturat e ngritura dhe të konsoliduara brenda njësive qeverisëse për vetë-pastrimin prej këtij fenomeni e deri tek prokuroria e re dhe gjykata po e re. Këto janë në fund të herës ato institucione që hetojnë, gjykojnë dhe thonë fjalën e fundit.
Ndërkohë që Këlliçi dhe stafi i tij me sa duket është i bindur se korrupsioni luftohet duke i ngritur ‘gishtin e mesit’. Nuk e dimë kush ka qënë ideatori i një spoti të tillë që solli jo vetëm reagimin e kundërshtarit politik apo të kundërshtarëve brenda PD, por dhe të qytetarëve shqiptarë dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Reaguan dhe disa nga komunitetet fetare, dhe në fund të herës të gjithë tok e cilësuan, një sjellje të papranueshme, të pahijshme dhe fyese për qytetarët e Tiranës, një ‘ofertë’ të tillë të ofruar nga kandidati opozitar i “Bashkë Fitojmë” Belind Këlliçi për qytertarët kryeqytetas.
Deri më tani nuk kemi parë ndonjë pendesë nga ana e kandidatit të kësaj pjese të opozitës për Tiranën, përkundrazi, e ka cilësuar në një formë apo tjetër si një arritje, pasi e ka vënë në qendër të vëmendjes. Për keq, por ama, emri i tij për lakohet në të gjitha “rasat”. Për më tepër që ka qënë dhe Berisha ai që e mbështeti, teksa tha se ata që vjedhin qytetarët, meritojnë jo gishtin, por shumë më tepër se aq pasi sipas tij meritojnë çdo formë deskrititimi.
Që të kthehemi tek Këlliçi, sëse do të bëhej fjalë për ndonjë përfaqësues të shoë-bizit apo për rritjen e klikimeve në ndonjë portal apo media sociale, dhe mund të përtypej diskutimi në këtë sens. Fundja ky kontigjent për klikime rron, meqë jemi në botën e internetit, dhe ky është qëllimi final i çdo batute, kauze apo dhe budallallëku quajeni nëse doni që hidhet për ‘konsum’. Pra krijimi i një debati sado fiktiv apo përplasjeje qoftë dhe në sensin negativ që prodhon klikime.
Por gara për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës është përtej këtij elementi të të qenit në qendër të vëmendjes, dhe për ndonjë “gomarllëk” që mund të hedhësh andej këndej. Kandidatit për të qënë qytetar i parë i Tiranës i analizohet dhe tonaliteti i zërit, dhe një ironi e hollë që mund të hedhë e që mund të fyejë elektoratin që voton, dhe një përkulje e trupit apo e folura e shoqëruar me lëvizjen e duarve që nënkupton nervozizëm dhe pasiguri. Pasi ka në dorë shërbimin dhe fatin e 1 milionë banorëve që jetojnë në kryeqytet, gjysmës së popullsisë për elementët më bazë të jetës. Vëzhguesit e hollë dhe ‘katalogët’ e fushatave elektorale i përcaktojnë këto elementë me detaje.
Dhe t’u ofrosh qytetarëve të kryeqytetit si alternativë të opozitës për të qeverisur bashkinë kryesore në vend, ‘gishtin e mesit’, qoftë dhe me idenë se është i drejtuar kundër korrupsionit siç shkruhet në posterin e afishuar në çdo cep të Tiranës, më e pakta është ironi dhe maksimalja është një budallallëk i madh që vetëm Këlliçi dhe ata që e kanë ideuar në krye të herës, mund ta ‘përtypin’ dhe ta quajnë ‘akses mediatik’!
Është e sigurtë është se nuk prodhon vota, përkundrazi.Gjë që u pa dhe në veprimet më të fundit të kandidatit të PD, i cili në kohë rekord i hoqi këto postera dhe i zëvendësoi me të tjera, që sëpaku nuk janë të kësaj kategorie. Me sa duket vetë Këlliçi duhet të shohë brenda stafit të tij për të parë se kush është i interesuar që t’ia degjenerojë fushatën, që dhe pa “gishtin e mesit” nuk ka asnjë shans që të garantojë shmangien e humbjes përballë kandidatit të PS, Veliaj.
Nuk besojmë se është një hakmarrje e Berishës për zbrazjen si me komandë të stadiumit ‘Air Albania’ ditën e çeljes së fushatës në kohën kur lideri i “Rithemelimit” mbante fjalimin e tij të fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit. Jo se nuk ka inat përbrenda Berisha, por nuk besojmë se merret me goditjen e Këlliçit për braktisjen që i bënë mbështetësit në çeljen e fushatës.
E kanë braktisur gati në të gjitha takimet, pasi sa herë flet Berisha demokratët dalin nga salla, si për t’i treguar se “non grata” e SHBA është shtrirë dhe e njohin dhe në bazën e demokratëve që e mbështetën prej fillimit, mbështetje kjo përballë një Bashe anemik dhe dembel funksional, që humbjen në zgjedhje të PD që drejtonte e kishte ngritur në institucion. Ia bënë dhe në Kamzë këtë Berishës, e braktisën dhe e lanë vetëm në shi.
Berisha që kur e futi kandidat Këlliçin e dinte se do të humbiste thellë përballë Veliajt. Madje për këtë arsye e “zhveshi’ dhe nga mandati i deputetit, pasi e quan të “ndikuar’ nga amerikanët, përderisa Belindi është shkolluar atje dhe nuk refuzohet as këtu as në SHBA. Madje teksa këmbëngul se është kandidat politik kryesor i tij, Berisha po përpiqet me të gjitha mënyrat ta zhysë akoma më shumë Këlliçin në sytë e partnerëve tanë. Duke ia lëshuar përtokë dhe atë pak kredibilitet që kishte kishte mbetur, pas kandidimit në koalicionin e Berishës ‘non grata”.
Por kur e analizojmë në fund të herës, “gishtin e mesit” të Këlliçit në posterin e tij elektoral në garën për bashkinë e Tiranës, ajo që mund të themi është se, nuk është asgjë përballë “gishtit të mesit” që eprori i tij Sali Berisha ia ka nxjerrë opozitës, të cilën e katandisi në këtë gjendje ku është sot. Ndau PD-në në dy pjesë, futi armiqësinë dhe dhunën brenda PD, ‘rrëmbeu’ pjesën më të madhe të anëtarësisë së PD, të cilët i dërgoi te Partia e Lirisë e Ilir Metës. Një parti e majtë kjo, që nuk ka asgjë të përbashkët me “konservatorizmin” me të cilin mburret Berisha.
Praktikisht këta demokratë s’janë të përfaqësuar me siglën dhe logon e tyre në zgjedhjet e 14 majit, por me logon e PL të Metës. Madje dhe kandidatët e primareve të Berishës hynë në garë me firmën e sekretarit të përgjithshëm të Metës, me vulën e PL dhe quhen zyrtarisht kandidatë të Metës dhe në fletën e votimit. Në këtë ‘sektor’ të partisë më të madhe opozitare nuk ka PD.
Por dhe PD zyrtare merr pjesë vetëm në 14 bashki me kandidatët e saj, nga 61 bashki që ka vendi. Nuk mundi të nxirrte më tepër kandidatë, për shkak se një pjesë ishin të frikësuar nga terrori i Berishës dhe refuzuan të garojnë, madje dhanë dorëheqje nga gara. Por dhe nuk kishte emra për të garuar. Pra PD po shkon drejt shuarjes.
Për këtë arsye, ajo që mund të themi është se ‘gishti i mesit’ i Këlliçit në spotin e tij elektoral do të harrohet dalëngadalë, duke mbetur njëherësh dhe burim anektodash dhe meme-sh, ndërsa ‘gishti i mesit’ i Berishës në realitet, do të ndjehet gjatë, e përkthyer në shuarjen e PD dhe përfundimit të misionit të saj, por dhe tërë opozitës. Pasi nuk shihet asnjë ‘dritë në fund të tunelit’ për ta pasur si alternativë që të vijë në pushtet. Kjo është më e rënda. Dhe për më tepër me atë që Berisha i ka bërë vendit në këto 32 vite, kjo e Këlliçit nuk është asgjë.