Skulptori dhe medalisti italian Giuseppe Romagnoli

Giuseppe Romagnoli, gjurmëve të ideve dhe origjinës që krijuan monedhat shqiptare

23 Shtator 2018, 08:34| Përditesimi: 23 Shtator 2018, 11:26

  • Share

Historia e monedhave shqiptare, nga koha kur jeta e tyre në vitin 1926 merr rrugë, ka fatin të ketë themelues një nga emrat më të shquar të artit numizmatik. Edhe të duam ta harrojmë, s’mundemi, sepse emri i tij ndodhet i shkruar në faqe të monedhave e bankënotave: Giuseppe Romagnoli. Ai ishte një skulptor, gdhendës e medalist italian, që jetoi e krijoi në Italinë e kohës së Mbretërisë dhe të Republikës. Emri i Romagnolit është gdhendur në monedhat italiane, shqiptare, somaleze dhe etiopiane. I lindur në Bolonjë në vitin 1872 dhe i shkolluar në Akademinë e Arteve të Bukura, po në Bolonjë, u bë i njohur si artist që në moshën 25 vjeçare, duke marrë pjesë rregullisht në ekspozitat e artit dhe Bienalen e Venedikut. Kreu studime me artistin e njohur, Enrico Barberi, për të marrë formim në skulpturë dhe medalistikë. Aftësitë Romagnoli-t ju njohën përfundimisht në ofiçinën e prodhimit të monedhave në Romë, ku institucioni i dha atij një punë si dizajnues, për të mbërritur më pas deri në detyrën e drejtorit. Nga viti 1909 deri në vitin 1954, ai udhëhoqi krijimin e prodhimin e monedhave dhe medaljeve në Institutin Poligrafik të Shtetit. Gjatë kësaj periudhe bëri pothuajse të gjitha modelet për stampimin e monedhave të Mbretërisë së Italisë e Republikës Italiane; të Perandorisë Etiopiane; të Shqipërisë, për ato të viteve 1926-1941 si dhe të Somalisë. Vdiq në Romë në vitin 1966, në moshën 94 vjeçare.

Duke u shkëputur nga ky përshkrim biografik i Romagnolit, është e nevojshme për kulturën numizmatike të monedhave shqiptare, të përshkruajmë ato çka përbëjnë vlerë për historinë e tyre: motivet që përmbajnë.  Të qenit e dizajnuesit me njohuri të thella për disiplinën e shkencës së numizmatikës bie menjëherë në sy tek shumica e monedhave të Bankës së Shqipërisë të vitit 1926. Pamjet me figura të nxjerra nga skena mitologjike, siç do i shohim në vijim, janë disa nga vlerat që mbajnë elementë të krijuar nën ndikimin e kulturës dhe trashëgimisë monetare heleno-romake. Motivet e përdorura në monedhat shqiptare tregojnë se Romagnoli i ka njohur mirë monedhat e lashtësisë dhe pikërisht për këtë i ka përdorur si kulturë të trashëgimisë njerëzore. Këtë besoj se ka patur parasysh edhe kur i vendosi disa nga këto motive në monedhat e Shqipërisë.

Koleksionet e para të monedhave njihet të jenë formuar në mbretëritë e principatat me zhvillim kulturor të Europës. Po kështu, traktatet e para mbi numizmatikën tashmë ishin shfaqur në gadishullin Apenin, në principatat gjermane, Francë e Austri, etj.  U bënë të njohura botimet mbi këtë shkencë të re që po lindëte, kryer prej studiuesve Ch. Patin, P. L. Jobert, J. Pellerin dhe veçanërisht, puna studimore e kataloguese e austriakut Jozef Eckhel (1737-1798). Ai, si profesori i klasikëve në Universitetin e Vjenës, ishte dhe drejtor i kabinetit të koleksioneve perandorake të monedhave antike. Është një nga etërit themelues të numizmatikës si disiplinë shkencore. Puna e tij kryesore, “Doktrina numorum veterum” (8 vol., Vienna 1792-1798) revolucionarizoi tërësisht kërkimin mbi monedhat e lashta. Kjo vepër nuk është zëvendësur kurrë dhe ruan vlerën e saj referuese deri tani. Mbi supet e këtyre gjigandëve u mbështet krijimtaria e Giuseppe Romagnolit.

Këta themelues të disiplinës kishin dieni mbi koleksionet e monedhave që vinin nga Mesjeta, siç ishin ato të Mediçëve të Firences, të Alfonsit të V-të të Aragonës, të Maximillanit të I-rë të Austrisë, të Matthias Corvinus të Hungarisë, të Jeanit, dukës së Berry-t në Francë. Jozef Eckhel ishte njohur gjithashtu me punët studimore të antikuaristit të Rilindjes, Hubert Goltzius, si dhe kish ndërtuar marrëdhënie bashkëpunimi me numizmatistin italian, Domenico Sestini.

Kur njihesh me monedhat dhe medaljet e dizajnuara prej tij, pasi sheh përmbajtjet, motivet dhe artin e gdhëndjes, bindesh menjëherë se artisti dhe skulptori ishte i kompletuar nga dijet mbi emetimet e lashtësisë. Ai i bën ato vazhdimisht pjesë të tematikës që lëvron mbi dy faqet. Mjaft prej tyre dallojnë qartë nga figurat e marra nga mitet e lashta.

Giuseppe Romagnoli-skulptor, i takon më shumë fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, krijimtari në të cilën formoi personalitet dhe meriton të vlerësohet me të drejtë si një lëvrues plot talent në stilin simbolist. Puna e tij skulpturore shfaqet si fitues konkursesh ndërkombëtare në Bernë,  në Mynih, në disa Bienale të Venedikut, etj.

Në artin numizmatik të medaljeve, frytshmëria e tij ka qenë e pashtershme. Ai ka qenë i pranishëm në ekspozitat më të rëndësishme në këtë fushë, si në Itali dhe jashtë saj. Medaljet që ai dizajnoi janë sot pjesë e rrallësive në koleksionet e muzeve dhe galerive në mbarë botën. Pa qenë nevoja t’i përmendim (se janë shumë) theksojmë se krijoi medalje për mbretërinë, për fashizmin dhe për republikën. Me krijimtarinë në medalistikë ai dha një ndihmesë të pashoqe në ringjalljen e medaljes në Itali dhe e renditi këtë art në mesin e vlerave të mirëfillta kombëtare. Romagnoli veprimtarinë e tij, pothuajse ekskluzivisht, ja kushtoi numizmatikës.

Sa i përket vëndit tonë, duhet t’i jemi mirënjohës për veprën e trashëgiminë që na la! Popujt kanë, ruajnë e përdorin disa simbole kombëtare, që i përcaktojnë identitetin, siç është flamuri, monedha e kartmonedha, heronjtë e kombit dhe pulla e postës. Shqipëria, përveç këtyre, ka simbol kombëtar edhe shqiponjën. Etërit themelues të shtetit, u kujdesën që në katër, nga gjashtë emisionet e para të Postës, shqiponja dykrerëshe të ishte përmbajtje e tyre. Në një tjetër, të gjashtën, do të zinte vend heroi kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Pra, dinin çka bënin dhe përse e bënin!? Qëllimi ishte identiteti kombëtar. Për të zbuluar bartjen historike të monedhës, na duhet të pranojmë që në krye se me kompozimin e përmbajtjes të dy pamjeve të të 10 monedhave nuk ndodhi tërësisht kështu. Viti 1925, koha kur Romagnolit i ishte besuar puna për dizajnin e gdhëndjen e monedhave të Shqipërisë, në krye të shtetit nuk ndodhej asnjë nga ata që kishin shpallur mëvetsinë nga Perandoria Otomane. Dyshoj se ndokush nga shteti shqiptar ka parë ose shqyrtuar paraprakisht projektet e domethënjen e modelimit. Banka e sapo themeluar e shtetit Shqiptar, që u quajt Banka Kombëtare, në të vërtetë ishte një koncesion me afat 50 vjeçar i Bankës “Credito Italiano”, që nënkupton autoritetin vendimarrës edhe sa i përket tematikës së përmbajtjes monedhë-kartëmonedhë.

Merita dhe ndihmesa më e madhe që Romagnoli pati dhe ka në historinë e monedhës të vendit tonë është dizajnimi i shqiponjës në monedhën e vlerës Gjysëm Lek (1/2). Askush deri më sot nuk ka përmendur ndokund, se ishte pikërisht ai, i pari artist, që krijoi e vendosi në monedhë një shqiponjë me 9 pendë në çdo krah dhe 7 pendë në bisht. Deri në atë kohë, siç mund të vrehet lehtësisht në botimin “Historia e Flamurit Kombëtar”, të autorit Jaho Brahaj, larmia e shqiponjave ishte e shumëllojtë dhe pafundësisht e ndryshme, por asnjë prej tyre nuk i ngjante në formë kësaj shqiponje të gjysëm lekshit. Nga kjo kapicë shqiponjash Romagnoli zgjodhi të kompozojë një shqiponjë me krahë në flatrim, ajo që do ndodhej më pas në pozicionin historik si pararenësja e shqiponjës zyrtare. Me përmasat 1:1.2, kjo shqiponjë pas dy vjetësh do bëhej simbol zyrtar i shtetit shqiptar. Zuri vend në flamur, në pullat e postës, në monedhat e vitit 1935 e 1937 dhe përfundimisht, pas stilizimit skematik që piktori Sadik Kaceli i bëri në vitin 1946, mbeti përfundimisht kjo që kemi sot. Si i huaj, për më tepër pjesë më pas e strukturave të administratës në qeverinë fashiste, të vije në dukje autorësinë për një vepër të këtyre përmasave, pamëdyshje që ishte blasfemi.

Llojshmëria ikonografike e monedhave të lashta përfshin pamje të kafshëve e shpendëve, që ishin emblema të qyteteve-shtete, si kuaj, luan, shqiponjë, etj. Ato janë gdhëndur në mënyrë elegante, aq sa edhe sot tingëllojnë plot art e freski. Të gdhëndura e të prera me një pasqyrim të kujdesshëm të detajeve realiste si dhe me karakteristikat specifike, duke paraqitur krijesat e tokës e të ajrit në një monedhë, japin një referencë të drejtpërdrejtë ndaj simbolit mbrojtës të shtetit-qytet. Katër janë monedhat e Bankës së Shqipërisë të emetuara në vitin 1926, në të cilat shfaqet pamja e luanit. Në dy prej tyre, me metal nikel, luani paraqitet me trup të plotë; në dy të tjera, metal bronz dhe ar, vetëm koka me krifën. Motivi i të katër këtyre monedhave ka si burim pararendëset e monedhave të lashta. Romagnoli i zgjedh ato nga ngulimet e lashta fenikase dhe helene në Sicili e jugun Apenin, në Maqedoninë para aleksandrine. Për monedhën 1/4 leku, metal nikel, e vitit 1926 dhe e riprodhuar në vitin 1927, ka një anë të pamjes me luan. Në monedhat e lashtësisë ka disa monedha me pamjen e luanit, por monedha që ngjan të jetë stërgjyshja e çerek lekshit tonë është monedha e qytezës Hyele (Velia) një koloni feniko-greke. Në një didrahm të shekullit të VI-të para erës sonë, një nga anët ka pamjen e luanit, i cili është emblemë e qytetit Velia.

Në monedhën 1/2 leku, metal nikel, të vitit 1926, që ka si pamje një figurë të njohur mitologjike, marrë nga mitet e trimërive të Herkliut, pamja paraqet Herkulin duke u ndeshur me luanin e Nemeut. Kjo skenë ka qenë e njohur për skulptorët europianë sepse në sheshet e saj edhe sot ndodhen disa bazorelieve në mermer me këtë pamje. Romagnoli, te gjysëm lekshi shqiptar, ka sjellë pothuaj në mënyrë identike skenën që paraqet monedha e shekullit të V-të para erës së re e qytetit në jug të Apenineve, Heraklea. Stateri i argjendit është prerë rreth vitit 433 para erës së re. Monedha shënon fundin e mosmarrëveshjes midis qytezave Taras dhe Thourit dhe përkujton aleancën e përbashkët të themelimit të qytet-shtetit. Një anë e monedhës ka kokën e Athinasë ndërsa ana tjetër ka heroin mitologjik dorian, Herakliun, në betejë me luanin e Nemeut.

Monedha 5 qindar leku, metal bronz, me kokën e luanit në profil, ka ngjashmëri me shumë monedha të lashtësisë, por duhet besuar se Romagnoli ka dizajnuar e gdhendur një kokë ngjashëm me elektrumin, monedhën që ka statusin e të parës, ajo e Lidisë.

Dizajnuesi është kujdesur të përdorë edhe tema të bashkëjetesës Veneto-shqiptare, që i përket periudhës kur territore me popullsi shqiptare në bregun lindor të Adriatikut, mbanin në Mesjetë një emërtim gjeopolitik, “Albania Veneta”. Kështu, për monedhën 20 franga 1926, metal ar, Romagnoli ka zgjedhur të dizajnojë luanin mitologjik, grifinin, me kokë luani e flatra shqiponje. Është kjo qenje mitologjike, që u shndërrua në emblemë të Republikës së Venedikut e që ka ilustruar për mëse 300 vjet njërën anë të monedhave të argjendit e bakrit, “Dalmatia et Albania”, emetime të serenisimas që i përkisnin klasës “Venetia-Oltremare”.

Sa i përket 100 frangshit, me pamjen e një koçie kuadriga kuajsh, që galopohen nga një luftëtar në fushëbetejë (apo garim), është tematikë e rrahur shpesh në lashtësi. Ngjashmëria më e madhe e saj përafrohet më shumë me monedhën e artë të Filip të Maqedonisë të vjetit 350 para erës sonë si dhe me decadrachmen e argjendit të gjysmës së parë të shek. 4 para erës sonë, atë të qytezës së Sirakuzës.

Në monarkitë dhe shtetet absolute e diktatoriale, monedha përdorej e përdoret si instrument i pasqyrimit të sundimit, ndaj portreti i sundimtarit zinte vend në një nga dy anët e saj. Monedha, me portretet e tyre, i ndihmonte të forconin pushtetin, sundimin, por që në rastin e Zogollit, duke bërë prerje monedhash me portretin e tij, pa qenë mbret, u përdor arbitrarisht. Statura politike e tij në rreth 1 vit pushtet ishte ende e pa formuar. Kryeministër pak kohë në vitin 1923, rierdhi në pushtet në dhjetor 1924, u zgjodh në janar 1925 dhe Romagnoli, duke qenë se Shqipëria nuk ishte atëbotë mbretëri, po Republikë Presidenciale, duhet ta ketë gdhëndur portretin e kryetarit, për prerjet 5 e 100 Franga të vitit 1926, në mos me porosi të drejtëpërdrejtë nga Ahmet Zogu, më së shumti të ketë qenë zgjedhje e koncesionarit. 

Sa u përmend më sipër, në monedha ku referenca ka qenë lashtësia, të cilën numizmatët shqiptarë i njohin të kenë shumë lidhje në dizajnin e disa monedhave të qyteteve-shtete ilire, ato mbeten si tematikë tërheqëse, me ngarkesa historike e mitologjike. Ndryshe nga këto bën dallim monedha e argjendit prej 2 Franga e vitit 1926. Është kopje identike e monedhës 5 Lira të Italisë. Shqiponja e legjioneve romake (me një kokë), që ishte shndërruar në simbolin e fashizmit, me praninë e saj në fondin ekonomik-monetar, paraprinte kështu sundimi politik, që nuk do vononte. Po kjo pamje kish zënë vend edhe në kartmonedhën 1 Frang, por që nuk u lejua që qarkullonte. 2 frangshi, nga dhjetori i vitit 1926, u lejua për disa muaj. Katalogu i Bankës së Shqipërisë bën të njohur se qarkulluan vetëm një muaj, por duhet besuar të ketë qendruar më shumë se pesë muaj, përderisa vendimi për heqjen nga qarkullimi ka dalë në prill të vitit 1927.

Giuseppe Romagnoli njihet si një artist i talentuar, i aftë  për t’u  përballur me dizajnuesit më të mirë italianë apo botërorë. Në vitin 1965, Shoqata Italiane e numizmatëve, “Miqtë e Medaljes”, i kushtoi atij një medalje me pamjen e mjeshtrit, modeluar nga Pietro Giampaoli, në rrethbuzët e të cilës mbartet legjenda: "Giuseppe Romagnoli-Dekani i Medalistëve Botërorë".

Së fundmi, duhet të shtoj se veprimtaria e Giuseppe Romagnolit dhe trashëgimia që ai i la kulturës tonë në fushën e monedhës, në lëmin e shkencës së numizmatikës, duke  përfshirë qoftë edhe ato të periudhës 1939-1941, të pushtimit të Shqipërisë nga Italia, duke u marrë vlerërsimi në tërsinë e kohrave e të regjimeve me të cilat u përball, me të mirat e të këqijat e diktuara në tematikën e monedhave, është me të vërtetë mbresëlënëse dhe meriton që këtij personaliteti Banka e Shqipërisë dhe koleksionistët, t’i kushtojnë në nderim një veprimtari përkujtimore. Një vepër arti si monedha, edhe nëse nuk i kapërxen të tjera krijime arti më epërore, përsëri mbeten një simbol dhe shprehje të përpikta të atyre realiteteve që përshkoi kombi.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?