Ekonomi

'Bum' turistësh në gusht/ INSTAT: 2.3 mln të huaj hynë në vend, 9.9% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar! Nga janari, 8.9 mln në total

25 Shtator, 14:07| Përditesimi: 25 Shtator, 15:25

  • Share

Numri i popullsisë së vendit dhe i turistëve të huaj gati u barazua në muajin e kaluar. Pas një ecurie të luhatshme në 7 muaj, gushti i dha një shtysë të fortë turizmit. Më shumë se 2.3 milionë vizituan vendin në kulmin e sezonit veror, me rritje prej 9.9% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar kur në Shqipëri erdhën 2.1 milionë të huaj.

 

Gushti regjistroi edhe rritjen më të lartë në raport me vjet sa i takon fluksit të shtetasve të huaj që erdhën në Shqipëri.  Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se si periudhë 8-mujore, në vend kanë hyrë 5.2% më shumë të huaj se vjet, me një total prej 8.9 milionë vizitorësh.

Pjesa dërrmuese e turistëve është nga Evropa e kryesisht nga shtetet fqinje, ndërsa në rritje është edhe numri i pushuesve nga SHBA dhe Azia. Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Italia, janë shtetet kryesore që duket se po mbajnë ‘gjallë’ turizmin në vendin tonë.

Sezoni veror i këtij viti u shoqërua me një valë shtrenjtimi për të gjitha shërbimet, nga akomodimi, ushqimi e deri tek shezlongët apo argëtimi. Çmimet në fakt u rritën me ritëm më të shpejtë sesa numri i turistëve të huaj që erdhën për pushime në vend. 

Për pasojë vetë shqiptarët ‘braktisën’ bregdetin e tyre për paketa më ekonomike në Greqi, Mal të Zi apo Turqi. Vetëm në gusht thotë INSTAT ishin 994 mijë shqiptarë që udhëtuan jashtë Shqipërie me rritje prej 10.3% krahasuar me vjet.

Nga janari deri në gusht janë 5.7 milionë shqiptarë që kanë dalë jashtë vendit nga 5.2 milionë që ishte shifra vjet. Shifrat tregojnë se këtë vit u rrit më shpejt numri i shqiptarëve që zgjodhën të pushonin jashtë vendit sesa i të huajve që erdhën në Shqipëri.

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?