Gjashtë bashkitë, një test i mundshëm elektoral Basha-Berisha

14 Janar 2022, 17:38| Përditesimi: 14 Janar 2022, 17:58

  • Share

Me një letër zyrtare drejtuar KQZ-së, Presidenti Meta ka kërkuar informacion mbi bashkitë ku duhen zhvilluar zgjedhje të parakohshme për vendet vakante të kryebashkiakëve, duke filluar kështu procedurën për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve të shumëpritura. Në fakt, informacioni që ka kërkuar Meta është publik dhe mirënjohur. Gjashtë bashkitë ku duhen zhvilluar sa më parë zgjedhje të parakohshme janë:

1- Bashkia e Shkodrës – Pasi kryetari i dalë nga zgjedhjet, Valdrin Pjetri ra në “rrjetat” e dekriminalizimit.

2- Bashkia e Vorës – Pasi kryetari Agim Kajmaku, po ashtu ra në “rrjetat” nga dekriminalizimi.

3- Bashkia e Durrësit – Pasi Valbona Sako dha dorëheqjen pas tërmetit të nëntorit 2019.

4- Bashkia e Rrogozhinës – Pasi kryetari Haxhi Memolla ndërroi jetë.

5- Bashkia e Dibrës – Pasi Dionis Ymeri la postin për të kandiduar si deputet.

6- Bashkia e Lushnjës – Pasi Fatos Tushe u shkarkuar nga kryeministri Edi Rama, pas arrestimit për korrupsion.

Meqë Berisha nuk e merr dot selinë e PD-së me protesta, sepse është institucion publik që mbrohet nga Policia e Shtetit;

Meqë Berisha nuk e merr dot vulën e PD-së deri në zgjedhjet e këtyre gjatë bashkive, sepse çështja e statuteve konkurruese të PD-së mund të zgjasë me vite në gjykatat e tre shkallëve (e jo pak muaj);

Meqë Basha nuk ka ndërmend të tërhiqet, apo të ulet në negociata me Berishën (të paktën jo në muajt në vijim).

Berisha do të detyrohet ose të krijojë parti të re, ose të futet në garë me kandidatët e vet më të mirë në këto gjashtë bashki. Regjistrimi i një partie të re është një kafshatë që s’e kapërdin dot sedra malësore e tij – të paktën jo tani që ajo është rishtazi e plagosur. Ndërsa regjistrimi i gjashtë kandidatëve të tij në garë kërkon vetëm nga 3000 firma banorësh në secilën bashki – gjë që e realizoi edhe i vetëm Gjergj Bojaxhiu më 2015, pa ndihmën e militantëve të ndonjë partie.

Ky do të ishte një test i mirë elektoral për përkrahjen Basha vs. Berisha, vetëm në qoftë se LSI nxjerr kandidatët e vet më të mirë në secilën nga këto bashki. Në këtë mënyrë edhe ajo do të testonte sa përkrahje elektorale i ka mbetur pas disfatës së 25 prillit, kur mori vetëm 4 mandate (nga 19 që kishte). Ndërkohë, në komisionet vendore zgjedhore dhe të numërimit do të ketë anëtarë dhe vëzhgues si të kandidatëve të partive, edhe të atyre të Bershisës.

Në gjashtë bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme, më 25 prill, votuan rreth 117 mijë zgjedhës për PD-AN dhe rreth 21.5 mijë për LSI. Të shohim se sa nga ata do të votojnë tani për kandidatët e Bashës, sa për të Berishës, dhe sa për të Kryemadhit.

(Shënim: Personalisht e di pak a shumë se sa përkrahje elektorale ka secila palë, ngaqë kam zhvilluar disa sondazhe private qysh nga 10 shtatori, por zgjedhjet e parakohshme janë sondazhi më madh që mund të realizohet para zgjedhjeve lokale të 2023-shit).

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?