Superliga shqiptare e futbollit nisi të shtunë me tre ndeshjet e para për raundin e dytë. Flamurtari dhe Bylis barazuan 3-3, Egnatia dhe AF Elbasani barazuan 1-1, ndërsa nga një pikë ndanë edhe Partizani me Teutën, por pa gola.
Në 'Arenën e Demave' në kryeqytet, Partizani dhe Teuta barazuan 0-0 në një sfidë pa shumë histori. Të dyja skuadrat treguan forcë në prapavijë, por fundi i ndeshjes ishte ai që bëri më shumë bujë. Kapiteni i Partizanit, Xhuliano Skuka goditi me shpullë në fushë shokun e ekipit, Judah Garcia. Pas këtij momenti tifozët i dolën kundër kapitenit, ndërsa u desh ndërhyrja e futbollistëve në fushë që ai të qetësohej. Një veprim që lë për të dëshiruar dhe që u ndëshkua vetëm me karton të verdhë. Pas sfidës, ai kërkoi falje në kanalet e komunikimit.
Në 'Adush Muça' të Ballshit, Flamurtari dhe Bylis barazuan 3-3. Vlonjatët shënuan dy herë brenda 23 minutave lojë me Bourard dhe Maksutin, ndërsa Ualisson shkurtoi fillimisht për ballshiotët. Në pjesën e dytë Mouctar barazoi për 2-2, para se Erald Maksuti të shënonte sërish për Flamurtarin. Nuk ishte e thënë që vlonjatët të dilnin me tri pikë nga Ballshi, pasi Ualisson barazoi për 3-3, duke shënuar dopietë. Edhe pse ndeshja u luajt në Ballsh, vendas në këtë duel ishte Flamurtari, që nuk e ka ende gati fushën e stadiumit në Vlorë.
Në Rrogozhinë, kampionët e Egnatias u ndalën 1-1 nga AF Elbasani. Për të dytën ndeshje radhazi ekipi i Edlir Tetovës nuk del te fitorja. Diallo kaloi AF Elbasanin në epërsi në fundin e pjesës së para, por Jefferson barazoi në minutën e 83. Fundi i ndeshjes ishte dramatik, aty ku Emiliano Musta gaboi nga pika e bardhë për AF Elbasanin. Sfida u mbyll mes tensionit, me Lulaj për miqtë dhe Fangaj te Egnatia që panë kartonin e kuq para syve.
Superliga, raundi 2 - 30 gusht 2025:
Flamurtari 3-3 Bylis
Egnatia 1-1 AF Elbasani
Partizani 0-0 Teuta
31 gusht
17:00 Vora - Tirana
20:00 Dinamo - Vllaznia
Renditja:
Komente
