Gjelë Gjikola, 94 vjeçarja që humbi vajzën 3 vjeç në Kampin e Tepelenës

Gjelë Gjikola: Në Kampin e Tepelenës ku më vdiq vajza 3 vjeçe

11 Prill 2018, 07:15| Përditesimi: 11 Prill 2018, 16:08

  • Share

Gjelë Gjikolaj, kjo nënë vetmitare, malsore me qëndrim stoik, sot 94 vjeç, ka një histori të fortë për të rrëfyer. Jeton për të dëshmuar, pa bërtitur, pa u ankuar.
Ajo ti shemb nga themelet, ti shkërmoq, gjithë bindjet apo perceptimet që mund të kesh për dhimbjen, vetminë, vdekjen, apo mbijetesën…
Gjela është e sëmurë. Prej 40 vjetësh vuan nga astma. Por siç thotë vetë, Zoti ka dasht që ajo të jetojë gjatë.
E takojmë Gjelë Gjikolën  në spitalin e Rrëshenit, ku trajtohet prej disa ditësh për një varg shqetësimesh të moshës së shtyrë. Në jetën e saj ka një stacion të dhimbshëm që i ther në zemër sa herë e kujton. N’atë stacion do të ndalet sot. 

Ajo është e gatshme të rrëfejë për të... Vitet e tmerrshme në kampin e Tepelenës i morën gjysmën e shpirtit të saj, Dilën 3 vjeç, që vdiq e uritur dhe e etur për një pikë ujë…
Gjela ishte 20 vjeç kur u martua me Preng Gjikolën. Burri i saj ishte mbështetës i Muharrem Bajraktarit, Abaz Kupit, Qazim Mulletit, e shumë të tjerëve që ishin deklaruar hapur kundër regjimit të posa instaluar komunist. Dyqanin në Kurbnesh dhe 5 dyqanet e tjera në katundet përreth që i adminsitronte prej vitesh, regjimi ia kishte mbyllë e sekuestruar që në vitet e para pas Luftës.

Prej atij momenti, Preng Gjikola ishte i vendosur ti dilte kundër regjimit të Enver Hoxhës. Siç tregon Gjela, burri i saj vendosi të arratiset bashkë me 60 burra të tjerë me idenë se një ditë do të kthehej e t’ia  ndryshonin faqen Shqipërisë. 
“U prenë... i vrau Jugosllavia në at vakt. 60 burra përnjiheri… I thashë: or burrë ku ve? Jam shtatzan, ku ve? Jam tu vojt tha, nuk na le me çel dyqan, na prishi dyqanin, na mori mallin, dyqind berra, krejt mos o zot…

Ata burra që shkuan në Jugosllavi nuk patën mundësi me e ba Shqipërinë për vete, veçse ju shkoi koka…”.


(Gjelë Gjikola dhe gazetarja Admirina Peçi)

Gjela ndalet një çast. E kujton me dhimbje ditën që burri e la në Kurbnesh. Pikërisht atë ditë, pasi burri iku në mal, Gjela shtatzënë, lindi vajzën e tyre, Dilën, fati i të cilës ishte shenju me kohë, një fati i hidhur! As ajo se pa kurrë të atin e as ai vajzën e tij të vetme.

“Kur u banë këta grup me ata qi u qujtën  tradhtarë, u banë 60 burra dhe dolën, kalun në Jugosllavi. Atë ditë që dolën burrat  n’mal më kishte le cuca. Kunatës i ka le cuca në rrugë me policë. “Je duke gënjy nuk je tu lind”, i thoshin rojet. Policët ishin aty. Asaj i leu cuca në rrugë…”.
Ku po i çonin ata dy gra të llahtarisura? Gjela dridhet kur mendon atë ditë të frikshme, me foshnjën e saj tre ditëshe në atë kamion, që ruhej me policë të armatosun, me kunatën e saj që i kishin nisur dhimbjet e lindjes e iu lutej me shpirt ndër dhëmbë policëve. Aty n’atë kamion, rrugës për në burg një grua lehonë, një tjetër duke lindur dhe vjehrri i tyre plak mes kërcënimit të armëve do të jetonin një ditë të tmerrshme.  E mbas saj muaj edhe më të vështirë.

“Katër muaj kemi nejt në Burrel, në hetuesi. Cuca e lindme atë ditë, e imja tre ditëshe. Kemi nejt katër muaj në hetuesi. Hetuesi burrash jo grash!!!”
Nga hetuesia e Burrelit,  Gjela  ka një shenjë që nuk i shlyhet. Thotë se nuk e kanë torturuar. Por një shenjë ja kanë lënë, që ajo ta kujtonte gjithë jetën se ishte gruaja e një “armiku të popullit”.

“Jo, jo, torturue, torturue… Me kanë ra këtij gishtit (tregon gishtin). Pasi kam dalë prej internimi,(pas 3 vjet e gjysëm) i kam heq duhanin, se e kam pas lidh me duhan. Pas operimit ka ardh në gjendje. Nuk rrej, pikë për pikë jam të t’thanë..
M’tha: “Vene dorën këtu”. Unë kujtova se më tha a di me shkrue. Edhe…(tregon me shenjë se si e ka goditur hetuesi).
“Mos bre, i thashe, mor burri i dheut…”!

“Ta ka ba burri”, me tha. Po burri s’tpyste n’atë kohë. Ku e dija unë se ç’bante burri n’atë kohë me politikë. 60 burra! Ku e çlirojshin Shqipninë, 60 burra!!   


(Gjela dhe kunata e saj Mrika në vitin 2006 pasi kanë zhvarrosur eshtrat e të bijave në Tepelenë)

Në hetuesi, me foshnjat që qanin çdo natë nga i ftohti, në birucat e errëta,  Gjela, dhe kunata e saj, të dyja lehona, mendonin vetëm si të shpëtonin foshnjat. Ky izolim mori fund kur burrat që kishin kaluar në Jugosllavi i kishin vrarë. Pas kësaj dy gratë dhe foshnjet e tyre bashkë me vjehrrin plak do t’i nisnin drejt një kalvari të ri vuajtjesh në Tepelenë…

“Na liroi, na liroi… Nuk na liroi Enveri, por dha urdhën për të na internu në Kampin e Tepelenës. Dhe na internun”.

Në Tepelenë, mes 6 mijë të uriturve

Gjela e kujton mirë periudhën kur u vra Bardhok Biba. Fatkeqësinë më të madhe të jetës së saj e lidh më të. Në kampin e Tepelenës çdo ditë ishte luftë për mbijetesë. Por vrasja e atij njeriu siç thotë Gjela, shenjoi jetën e 3 mijë mirditorëve që ju shtuan përnjiherë kampit që kishte pothuajse 3 mijë të internuar të tjerë….Uria që më parë kishte qenë sfilitëse, tani do të thellohej edhe më shumë. Gjela thotë se urrejtja e regjimit ndaj tyre u shtua.

“ Erdhi Beqir Balluku. Bani apelin. Qemë 3 mijë vetë, u bëmë 6 mijë vetë. U internuan edhe 3 mijë vetë të tjerë. I sollën atje…


(Skicë nga kampi i Tepeleës realizuar nga Lek Perzizi)

Nuk e di, se si jam gjallë sot pra, merr vesht a jo! Tepelena ishte: gjethe lisi hanim, lende, hithna…I zinim e i hanim. E kemi jetue e kemi ardh ne shpi…
Na jepshin vetëm dy lek buke sa me rru gjallë, si sot deri nesër në këtë vakt.  Ata na jipshin vetem ndoi  groshë, n’ ata fuçiat me naft qe s’hahej. Ishim popull shumë, ishim 6 mijë vetë.

Pale, pale, pale…në Tepelenë! Ah Tepelena, çfarë maj mend unë! Sa njerëz kanë vdek atje, shpresë na m’zotin!  E kot. Tre mijë vetë kane ardhë kot, se kanë vra Bardhok Bibën. Ishim 3 mijë vetë, u bamë 6 mijë dhe… U pre buka mrapa, u pre buka, u pre ushqimi, vetem t’u varros njerëz përditë, për ditë. Se harroj kurrë. Nji e kishte vra (Bardhok Bibën) se kishte vra gjithë Mirdita! I internuan gjithë Mirditën.Vinin makinat me të internum, pa fund. Fmijët krejt tu vdek Se mban mend historia!

O sa fmi kane vdek atje… Malsija e Shkodrës u kanë vdek kalamaj shumë. Nji shkodrane  quhej Tereza, tre mbesa i vdiqën prej tifos si vajzat tona: 14 vjeç, 12 vjeçë , 6 vjeç. Tre mbesat i ka lane vdek e asht liru pernjihere me mu, e s’ka pas kënd, me fut në shpi”.

Nata kur Dila, tre vjeç, dha shpirt duke lyp ujë…

Atë natë, Gjelës iu shkul diçka prej shpirti. Dila, vajza e saj 3 vjeç, i dha shpirt ndër duar. Si mundet një nënë ta durojë këtë gjë? Fëmija me ethe e temperaturë, pa doktor e pa ilaçe, e uritur me buzët e thara, duke kërkuar ujë, e nëna, e mbyllur brenda një kampi me tela me gjemba, e ruajtur nga ushtarë të armatosur… s’ka t’i japë: as bukë, as ujë… Gjela thotë vetëm një fjalë që përshkruan më shumë se një roman: “….me tu prish mendja”…

“Vajza më ka vdek natën. Ishim, si me qenë dhjetë vetë këtu. Ishte Xhina Miraka. I thashë: “a ke ujë”? “Kam”, tha, “po kam pak”. “Po sa një pikë më jep, se asht tue më lyp vajza ujë, se asht t’u më vdekë. Dhe ma ka dhanë nji filxhan, që e kishte marrë vetë nga shpija. I dhashë me të...

Më lypte ujë… ‘ujë, ujë, mami, m’jep ujë”. S’kisha ujë fare. Tre vjeçe ishin Kanë vdek, sikur kanë le, kanë vdek, të dyja, prej tifos. Kishin ethe, temperaturë. Ishin prish krejt, pa pi pa ngranë… E merrsha në krahë, (Gjela bën me shenjë se vajza e mbante kokën varur)

S’kisha ushqim as ujë me pi. S’kisha ku me dalë, se s’na linin me dalë. S’na linin. Vetmë për ushqim na kanë vdek. Për ushqim të dy vajzat tre ditë ndërmjet ishin, fiks tre vjeçe, na kanë vdek në kampin e Tepelenës…”

“Fëmijët në Tepelenë, për Zotin, vetëm për ushqim kanë vdekë. E laja vetëm njëherë në 10 ditë, se s’kishim ujë me e la. Nuk na linin me dalë jashtë me mbush ujë. Çezma ishte në oborr jashtë rrethimit. Dilnim me leje. Dhe s’kishim enë me mbush ujë. S’kishim asnji gjë. Na i kishte marrë shteti të gjitha, ca kishim mall e gja, të gjitha na i morën…”.

Gjela hesht, nji grime kohe. Shtrëngon fort shkopin që nuk e lëshon nga vetja. Ajo natë në Tepelenë ia shkretoi gjithë jetën. Burri që iu vra, me idenë se ‘do t’i ndërronte faqen Shqipnisë’ i preu krahët dhe e la pa mbështetje. Por vajza, si ëngjëll që i iku atë natë në Tepelenë i shkretoi shpirtin.

E pyes Gjelën a kishte doktorë në kamp? Pse nuk kujdesej dikush për fëmijët e sëmurë? Dhe ajo shfaq befas indinjatë e një revoltë të fshehur.

“Jo jo.. jo, jo… Mos e fol! Çfarë doktori! S’kishte doktor atje. As doktor as infermier. Tek të internumit? Jo, jo, jo absolutisht… Pa pa pa… jo! Mos e fol! U lshoshim dhè e gjethe te kret. Me t’u prish mendja me fmitë… Vetëm t’u lut Zotin… vetëm Zotin. Vetëm Zotin!

Dy varre të vegjël, rrëzë një muri…

Nuk mund ti imagjinoj dy gratë e mjera në orët e  asaj nate pasi vdiqën në të njëjtën kohë dy vajzat e vogla. As agimin e atij mëngjesi që e pasoi. Gjela me katër fjali e mbyll këtë kapitull…

“I varrosem cucat, i varrosëm tu u lshue dhe e gur zalli. Ka qenë nji vorr italian. Në rraz të atij muri, i morëm leje komandantit, ramë në zall, morëm ca gur të bardh si voe (vezë), e i vumë akolle (rreth) për mos me e harrue vorrin…”.

Muajt që pasojnë nuk kanë lënë asnjë shenjë në shpirtin e saj. Gjela kujton vetëm ditën e lirimit. I lëshuan nga kampi e ju thane: “Ikni në shtëpitë tuaja…”. Pas kësaj vitet që pasuan lanë në shpirtin e Gjelës vetëm shenja vetmie. Ajo nuk u martua më kurrë. Përjetë mbeti gruaja e Preng Gjikolës dhe nana e Dilës së vogël…

“Jetova…..tuj qa, tuj qa me fjalë,  e tu ardh ke shpia. Kemi ba 12 ditë e 12 netë  rrugë, në kambë nga Tepelena deri në Milot… Kanë vdek rrugës njerëzit. Hangrën ‘kokrra mreti’ (mare) e vdiqën. Kjo,  kur jemi liru prej Tepelene! Nga Tepelena 12 ditë e 12 netë… Ishte hana, ecnim natën… Po ishim njerëz shumë, Mirdita krejt!

“Na liroj shteti. Erdhëm n’shpi. Edhe fara e fisi na kanë nimu. Por na, ndodhëm larg shokësh. Na (Gjela dhe e kunata) kemi jetu bashkë me vjehrrin. Jetoi ai deri 100 vjeç… Pastaj vetëm kam nejt,  gjithë jetën, fillikat. Na dhanë triskat e Frontit dhe himë në punë te miniera e Kurbneshit, kur  u hap miniera”.

Pas 50 vitesh, kthim në Tepelënë…

Gjysëm shekulli më vonë, Gjela kishte të njëjtën zbrazëti në shpirt. Si i kishin lënë, gjithë këto vite,  vetëm, atje në atë kamp të tmerrshëm, dy vajzat e vogla, nën atë qielli që çfarë nuk kishte parë, nën shi e borë, a vapë përvëluese, nën atë marshim të pandalshëm të stinëve? 

Pasi regjimi ra, Gjela dhe kunata e saj tashmë të moshuara, e gjetën mënyrën për tu rikthyer atje, ku i kishin varrosur të bijat, në vendin e shenjuar me gurë zalli e me marr prej aty shenjat që kishin mbet prej tyre.

“Kur erdh demokracia i bëmë thirrje Sali Berishës si familje. Kështu, kështu na ka ndodh. A ka mundsi me na dhane leje të shkojmë të marrim dy vajzat në Tepelenë. Dha urdhën Sali Berisha,  kemi marrë tre deputetë Pal Dajçi, Gjovalin Prenga e nji nga Tirana e kemi shku në Tepelenë. Me 13 qershor (2006?).  Kemi vojt e i kemi qit prej vorri cucat. Pluhun krejt ishin ba. Vetëm nga nji copë e vogël e djepave prej pishe kishin mbet… Kemi mor shenjat e i kemi çu te vorrat ke kisha e Shna Noit”. 

Gjela ia doli të mbijetojë. Ajo nuk e jetoi rininë, as jetën me burrin që deshi, e sidomos nuk jetoi mëmësinë. Jetoi një jetë të zbrazët me mendjen mbërthyer tek ajo natë ferri në Tepelenë. Por siç thotë Gjela, jetën se kemi ne në dorë. Zoti desh që ajo të jetojë gjatë e të na dëshmojë ne këtë ngjarje. Edhe pse po bëhen mbi 40 vjet që është e sëmurë kronike nga astma, falë kujdesit të mjekëve në Rrëshen jeton ditët e moshës së saj të vonë…

“40 vjet e smurë jam. Këtu në Rreshen jam kuru. Doktor Simon Kala është i pritshëm. Po ashtu drejtori i spitalit Pjeter Pjetri.. Spital ma t’mirë se në Rrëshen s’ke në Shqipri…40 vjet ma kanë mbajt shpirtin gjallë doktorët e Rrëshenit. Tash jam fillikat. Nuk e kam vendos se ku me vdek. Veç zoti e di!

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Toma: 11/04/2018 18:28

    Edmond, ti o klysh i bolshevikut nuk shkruen as nji rresht per dhimbjet e ksaj nane, por na ke hallin e gjeografise se Mirdites. O i biri i plehut. Po qe se te duhet historia e Mirdites, fillon qysh prej emnit "Mjerdita" e te tjerat nuk kam pse ti thom o kryetrashe. Po qysh qenka Shkodra (nen nivelin e detit) malsi o kafshe injorante. Edhe per mbiemrat je vec ne rrene. Idiot enverist.

    Përgjigju
  • Edmond(Koder Rreshen): 11/04/2018 09:21

    Mirditoret nuk ke perse i tjeterson,duke ju nderruar identitetin dhe quajtur Malsore! Te thuash se Mirditoret jane Malsor,esht njelloj sikur te thuash se i gjith Jugu i Shqiperis jane Lab.Mirditoret ndjehen mire me Historin e tyre qe nga Pirustet e Lashte,me mos nenshtrimin ndaj Romes,me periudhen e pushtimit Osman,te cilet kishin autonomi,dhe me Figurat Historike,Fishta Vasa,Mjeda(me njerin nga prinderit Mirditor).Malesor jan Tropojanet,Shkodranet,dhe nje pjes e Lezhes.Emrat,dhe sidomos Mbiemrat e Malsoreve ndryshojn nga te Krishtert e tjer te Veriut te Shqiperis.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?