Gjenden 686 bimë kanabisi në Mserr të Tropojës, s’dihen autorët! Nën hetim kryetari i fshatit dhe dy përgjegjës të shërbimit pyjor
Dronët kanë zbuluar 686 bimë kanabisi të kultivuara në zona të pyllëzuara, në fshatin Mserr të Tropojës, ku për pasojë u vunë nën hetim kryetari i fshatit dhe dy persona përgjegjës të shërbimit pyjor të kësaj zone, për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre.
Në kuadër të fazës së katërt të operacionit “Bjeshkët e Nemuna”, Policia e Kukësit ka asgjësuar nëpërmjet djegies, 686 bimë kanabisi, ndërsa kultivuesit e tyre nuk dihen ende.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, janë proceduar penalisht Valter Përvataj, kryetari i fshatit Mserr, Ardit Qehaja dhe Gjin Pjeternikaj, përgjegjës të shërbimit pyjor të kësaj zone, për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre.
Bimët narkotike, pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Vijojnë veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Kukës, për veprime të mëtejshme.