Struktura të rëndësishme arkeologjike, janë zbuluar gjatë punimeve në Sheshin “Cerciz Topulli” në Gjirokastër. Mure foritfikuese mesjetare, gjurmë të qeramikës, materiale skeletore që sipas specialistëve i takojnë shek XVII fillim shekulli XVIII kanë dalë në dritë prej disa ditësh duke çuar ne pezullimin e përkohshëm të punimeve për projektin e Rilindjes Urbane në qendrën muzeale të Gjirokastrës.
"Një mur i lashtë që daton në shekullin XVI. Janë fragmente të një muri mesjetar me të gjithë elementët, ku një ndër kryesorët të këtyre mureve, që mund të jenë të kështjellave të vogla të asaj kohe, janë frëngjitë të cilat i ndeshim në këto kështjella Gjirokastrite si objekte të vëzhgimit dhe ruajtjes së objektit. drejtoria jonë ka ndaluar punimet", tha Vaso Polo specialist në DRKK Gjirokastër.
Dosja me të dhënat e gjetura ka shkuar në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë i cili do të përcaktojë rëndësinë e zbulimit dhe masat që duhet të ndërmerren. Më herët janë gjetur ne thellësi, puse mesjetare, por u mbuluan nga firma kontraktore që po kryen punimet.
Ne baze te projektit "Sheshi Cerçiz Topulli" është konceptuar të jetë tërësisht për këmbësorët ndërkohë që do të ketë parkim të nëndheshëm.