Tre armë zjarri dhe 1580 fishekë luftarakë janë gjetur nga policia kufitare në një automjet tip Land Rover në portin e Durrësit. Automjeti ishte ‘braktisur’ prej dhjetorit të vitit 2022 në sheshin e kontenierëve në port pasi dërguesi nuk ishte paraqitur për të kryer veprimet doganore.
Pasi Autoriteti i degës së Doganës në Durrës vendosi hapjen me datë 4 qershor, brenda automjetit u gjetën të fshehura në një hapësirë të përshtatur dy armë automatike, 1 pistoletë, 1580 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm dhe 12 krehra fishekësh për armë automatike dhe pistolete.
Siç shihet edhe nga videoja e policisë, armët ishin fshehur poshtë motorit, në një vend të përshtatur, dhe ishin të mbështjella me qese të zezë.
Sipas policisë, automjeti ka hyrë në Shqipëri nga Kosova përmes pikës kufitare të Morinës më datë 20 dhjetor të vitit 2022 dhe do të shkonte për në Republikën e Kongos në Afrikë. Në kërkim është shpallur një 24-vjeçar si i dyshuar që do të kryente trafikimin e armëve dhe municioneve drejt Kongos.
"Kontenieri ku ndodhej automjeti, ishte i mbyllur në sheshin e kontenierëve në portin e Durrësit që prej dhjetorit të vitit 2022 pasi dërguesi nuk ishte paraqitur për të kryer veprimet doganore dhe më datë 04.06.2025, Autoriteti i Degës së Doganës Durrës vendosi kryerjen e procedurës së hapjes dhe kontrollit te këtij kontenieri.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në automjetin Land Rover shërbimet e Policisë konstatuan në brendësi të automjetit në një hapësirë të përshtatur 2 armë zjarri automatike, 1 armë zjarri pistoletë, 1580 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm dhe 12 krehra fishekësh për armë automatike dhe pistolete.
Nga veprimet hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe asaj Kufitare të Portit Durrës për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje është bërë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të posedimit të armëve dhe të përfshirë në trafikimin e armëve dhe municioneve nga Kosova me destinacion Republikën Demokratike të Kongos.", njofton policia.
Armët e zjarrit do të dërgohen edhe në Institutin e Policisë Shkencore për t’ju nënshtruar ekzaminimeve teknike, balistike dhe daktiloskopike për të parë nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme.
Sakaq drejtoria e policisë Durrës, policia kufitare dhe Prokuroria po bashkëpunojnë me autoritetet në Kosovë për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti me qellim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Komente
