Një punonjës i ambasadës ruse në Gjermani, i cili dyshohet se ishte spiun, është gjetur i pajetë në Berlin. Sipas medias gjermane ‘Der Spiegel’ oficerët e policisë së Berlinit gjetën trupin e pajetë të diplomatit rus pranë godinës së ambasadës më 19 tetor.
Në raportim, thuhej se diplomati kishte rënë nga dritarja e godinës në lagjen Mitte të Berlinit. Sipas një liste zyrtare diplomatësh, 35-vjeçari ishte akredituar si sekretar i dytë i ambasadës në Berlin që nga vera e vitit 2019.
Autoritetet gjermane nuk kanë mundur të kryejnë autopsinë pasi viktima kishte imunitet diplomatik. Megjithatë, autoritetet gjermane të sigurisë dyshojnë se ai ishte punonjës i maskuar i shërbimit sekret të brendshëm rus. Ai mësohet gjithashtu se kishte lidhje me një oficer të rangut të lartë në shërbimin e dytë të FSB-së.
Për rastin e diplomatit të gjetur të vdekur, ambasada ruse nuk ra dakord për një autopsi të trupit. Nga qarqet e sigurisë u tha se rrethanat e rënies së dyshuar dhe shkaku i vdekjes nuk dihen.
Sipas informacioneve trupi i diplomatit tani është transferuar në Rusi. Në lidhje me këtë ngjarje, ambasada ruse ka refuzuar të komentojë.