Një operacion “blic” i bërë në orët e para të mëngjesit të së djelës në Burgun Drenovës, ka rezultuar i sukseshëm për Drejtorinë e Burgjeve. Në qelinë e të dënuarit me “burgim të perjetshëm” Laert Haxhiut, u gjet një celular me te cilin dyshohet se ai komunikonte.
Menjëherë është bërë sekuestrimi i telefonit, dhe është dërguar për ekspertim. Gjithashtu kanë nisur hetimet për të zbuluar se si është futur pajisja e ndaluar në një burg të sigurisë së lartë dhe nëse ka patur bashkëpunim me përgjegjës të sigurisë në burg.
Laert Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm, për atë që njihet si masakra e Lushnjes në vitin 2017 ku mbetën të vrarë dy persona, Zamir Latifi, mik i nipit të Aldo Bares, dhe Jurgen Hoxha. Ndërkohë pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja dhe një kalimtar mbetën të plagosur aksidentalisht.
Haxhiu po gjykohet në Gjykatën e Posaçme për të paktën 17 ngjarje kriminale, mes të cilave vrasje e atentate, shpërthime me tritol e grabitje me dhunë. Zbërthimi i bandës së tij erdhi përmes dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani.
Laert Haxhiu u ekstradua më 3 korrik të vitit të kaluar nga Greqia një vit pasi ishte arrestuar në shtetin fqinj.
Komente
