Bota

Pas paralajmërimit se Ukraina mund të pushtohet në shkurt, SHBA dërgon 81 tonë municione në Kiev! Gjenerali amerikan: Sulmi rus do të ishte i tmerrshëm për civilët ukrainas

29 Janar 2022, 09:57| Përditesimi: 29 Janar 2022, 11:48

  • Share

Gjenerali i lartë ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mark Milley, ka paralajmëruar se nëse Rusia do të sulmojë Ukrainën, pasojat do të jenë të rënda dhe fatale. Sipas tij, pushtimi i Ukrainës nga Rusia do të shkaktonte një numër të konsiderueshëm viktimash. Vendosjen e 100 mijë trupave ruse pranë kufirit të Ukrainës, gjenerali Milley e konsideroi si më të madhin që nga koha e Luftës së Ftohtë.

“Nëse do të sulmohet Ukraina do të rezultonte me një numër të konsiderueshëm viktimash. Lufta në zona të populluara urbane do të ishte e tmerrshme”, tha Milley.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Mbrojtjes thotë se konflikti mund të shmanget ende me rrugë diplomatike.

“Konflikti nuk është i pashmangshëm. Ka ende kohë për diplomaci. Nuk ka asnjë arsye që kjo situatë të kalojë në konflikt. Presidenti Putin mund të urdhërojë largimin e trupave të tij”, deklaroi Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Një ditë më parë presidenti i SHBA-së, Joe Biden paralajmëroi se Rusia mund të pushtojë Ukrainën gjatë muajit të ardhshëm, por kjo u hodh poshtë nga Moska Zyrtare ku tha se nuk do luftë, por se shihte "pak vend për optimizëm" në zgjidhjen e krizës. Pas paralajmërimeve se në shkurt Rusia pushton Ukrainën, Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar ngarkesën e katërt me ndihma ushtarake në Ukrainë, ku përfshihen 81 tonë municione të kalibrave të ndryshëm. Lajmi është bërë i ditur nga ministri ukrainas i Mbrojtjes, Alexey Reznikov, i cili përmes një postimi në Tëitter ka shprehur falënderimet ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Avioni i katërt ka sjellë tani 81 tonë municion të kalibrave të ndryshëm në Ukrainë. Javën e ardhshme ne presim aeroplanë të rinj amerikanë me ndihma ushtarako-teknike për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës”, shkroi Reznikov në Twitter.

Sipas raportimeve të mediave, SHBA-të planifikojnë të dërgojnë rreth 200 milionë dollarë ndihma ushtarake në Ukrainë, e cila përfshin municion, armë antitank dhe pushkë.

I.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?