‘Gjenerata romantike’ sjell Chopin dhe Schumann në TKOB! Studentët italianë në Shqipëri, Bakiu: Kthehem në shtëpi

23 Tetor, 14:06| Përditesimi: 23 Tetor, 17:11

  • Share

Tingujt e muzikës së Frederic Chopin dhe Robert Schumann mbushën mbrëmjen e së martës hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë.

Kjo muzikë është ringjallur përmes interpretimit të disa prej pianistëve më të talentuar nga Konservatori i Salerno-s “Giuseppe Martucci” në disa koncerte, që synojnë të sjellin për publikun shqiptar disa nga pjesët më të mira muzikore të asaj që cilësohet si “Epoka romantike”.

Mbrëmjen e së martës në skenë u ngjitën dy pianistë, studentë të konservatorit “Giuseppe Martucci”, Francesco Pio Bakiu dhe Federico Cirillo. Për Francesco Bakiun, interpretimi në skenën shqiptare është një emocion i veçantë, duke qenë se babai i tij është një violonçelist shqiptar, i cili në fillimet e karrierës së tij ka interpretuar pikërisht në këtë skenë.

“Do të interpretoj tri pjesë të Frederic Chopin. Për mua është një emocion vërtet i madh të interpretoj në këtë vend që mund ta quaj shtëpi, pasi është shtëpia e tim eti. Është diçka që nuk mund ta shpjegoj me pak fjalë, por është më tepër se mirënjohje. Është mirënjohje për publikun që ndodhet këtu, por edhe për prindërit e mi. Jam i bindur që ky është një rast që duhet ta kenë të gjithë të rinjtë. Intepretimin e sotëm ia dedikoj gjithë Tiranës, Shqipërisë dhe familjes sime.”, - shprehet Bakiu. 

Ndërsa flet për familjen dhe prejardhjen shqiptare,ai thekson se ëndrra e tij është të interpretojë në skenën e TKOB, bashkë me babain, violonçelistin Ilir Bakiu.  

“Vij nga një familje muzikantësh. Babai im shqiptar është violonçelist dhe nëna ime është këngëtare, ashtu si dhe gjyshja ime. Kur isha i vogël fillova të mësoj pianon, fillimisht si lojë. Gjyshja më ka dhënë mësimet e para dhe më pas fillova ta studioj seriozisht me profesorë të vërtetë. Ajo që shpresoj është të vij në skenën shqiptare dhe të bëj një koncert me babain tim, Ilir Bakiu.”,- vijon ai.

Edhe për Federico Cirillo ky koncert në Shqipëri është tepër i veçantë.

“Do të interpretoj fantazinë e Schuman në do maxhor. Për mua është nder të jem këtu. Falenderoj Konservatorin “Giuseppe Martuçi” në Salerno dhe Teatrin Shqiptar të Operës. Është emocion që ndodhem mes jush dhe shpresoj të kthehem shumë shpejt.”, - thotë ai.

Ndërsa Tiziana Silvestri, pedagoge e konservatorit “G. Martucci" dhe e cilëson prestigj ftesën e TKOB, teksa nënvizon se dhe më parë ka pasur bashkëpunime mes dy institucioneve.

“Janë studentë të konservatorit “Giuseppe Martucci” të klasës së pianos, që i konsiderojmë talente. Prezantojmë një program kushtuar muzikës romantike, konkretisht pjesë të Chopin dhe Suman, si dy ndër përfaqësuesit më të mëdhenj të muzikës romantike. Shpresoj që bashkëpunimi mes dy vendeve të rinovohet dhe pasurohet më tej në të ardhmen.”,- shprehet ajo.

“Gjenerata romantike” në TKOB do të sjellë në skenë këtë mbrëmje edhe dy studentë të tjerë të konservatorit Martuçi, Luca Apicella dhe Gianantonio Freecone.

B.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?