Emigrimi është një problem i cili dëmton shoqërinë e çdo shteti, pavarësisht se sa i fortë dhe i qëndrueshëm ekonomikisht është ai, por gërryerja më e thellë që pëson një popull është kur ata që largohen nga “ajka” e shoqërisë.
Ky fenomen duket se ka prekur edhe Italinë, e cila së fundmi ka marrë masa konkrete për parandalimin por edhe dobësimin e këtij problemi.
Kryeministrja italiane Georgia Meloni në zotimet e saj para se të zgjidhej në krye të ekzekutivit, kishte cekur edhe këtë problematikë, duke premtuar se qeveria e saj do të bënte diçka për këtë.
Vetëm pak kohë më parë, Meloni arriti të realizonte miratimin e një ligji, i cili ju garanton italianëve të larguar nga vendi lehtësira tatimore, nëse ata kthehen në atdhe.
Sipas këtij ligji të ri, të gjithë italianët e mërguar që zgjedhin të kthehen, do të përfitojnë për 4 vjet përgjysmim të tatimit mbi të ardhurat, kur këto të fundit nuk i kalojnë 600 mijë euro. Por ligji specifikon se përfitues do të jenë vetëm ata që kanë një diplomë bachelor. Taksat ulen akoma më tej, në 60%, nëse këta kanë edhe fëmijë.
Koha gjatë të cilës ata do të tatohen përgjysmë zgjatet në 7 vjet nëse kanë blerë një shtëpi në Itali gjatë këtij viti dhe do të transferohen aty brenda 12 muajve.
Ligji i ri hyn në fuqi nga 1 Janari 2024.