Ekonomia e Shqipërisë ka lidhjet më të forta me BE-në se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor sipas Indeksit të Ndërlidhjes Gjeoekonomike të publikuar nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.
Studimi vlerëson se Shqipëria ka lidhjet më të forta me BE-në krahasuar me shumicën e vendeve të tjera si, Bosnja, Serbia Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi – ndërsa për Kosovën mungonin të dhëna të sakta.
Gjithashtu raporti thekson se Kina ka forcuar lidhjet tregtare me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Për shembull, në vitin 2023, për Shqipërinë, Kina ishte ndër shtetet me rritjen më të lartë të tregtisë. Nga këndvështrimi i Shqipërisë, kjo paraqet një sfidë, pasi duhet ruajtur thellësia e lidhjeve me BE-në për të mos u ndikuar nga strategjitë kineze.
Raporti tregon se ndërsa për një periudhë BE-ja mbante avantazh të qartë në tregti (importe, eksporte, lidhje tregtare) në Ballkan, që prej vitit 2021 vihet re një tendencë rënieje. Shqipëria, edhe pse është relativisht e lidhur mirë me BE-në, mund të përballet me sfida në ruajtjen e pjesës së tregtisë me Unionin.
Ndërkohë që BE-ja mbetet investitori kryesor, përfshirë Shqipërinë, raporti evidenton se roli i saj në investimet e reja (greenfield FDI) është dobësuar pas vitit 2021.
Kjo do të thotë që Shqipëria mund të mos tërheqë kapital të ri europian mjaftueshëm, krahasuar me investimet që vijnë nga Kina ose aktorë të tjerë, çka sjell pasoja për zhvillimin infrastrukturor, teknologjik dhe konkurrueshmërinë rajonale.
Në aspektet e politikave dhe përafrimit rregullativ – sinkronizim politik, monetar, fiskal dhe konvergjencë ligjore – BE-ja ka mbetur dominuese në rajon. Për Shqipërinë kjo nënkupton rëndësi strategjike për harmonizimin e ligjeve, standardeve dhe mekanizmave rregullatorë me BE-në, në mënyrë që të ruajë integrimin dhe përfitimet nga marrëveshjet tregtare dhe investuese.
Raporti sugjeron se kur lidhjet e BE-së me rajonin ngecin, vende si Kina mund të shfrytëzojnë hapësirat e lëna bosh. Forcimi i politikave që nxisin investimet evropiane (jo vetëm tregtare), sidomos në sektorë strategjikë si infrastruktura, teknologjia dhe energjia, rekomandohet nga ekspertët e Vjenës.
Gjithashtu, rritja e konkurrueshmërisë së firmave shqiptare në tregjet evropiane është e domosdoshme për të ruajtur dhe zgjeruar ekspozimin tregtar me BE-në.
Raporti sugjeron monitorim të kujdesshëm të kontratave strategjike ose projekteve infrastrukturore që vijnë nga jashtë BE-së, për t’u siguruar që ato nuk krijojnë varësi të dëmshme dhe nuk cenojnë interesin kombëtar./Monitor
Komente
