Kështu janë të ndarë sot gjermanët, teksa reflektojnë Angela Merkel në ditën e lamtumirës, si Kancelare.
Pas 16 vitesh në qeverisjen e Gjermanisë, Merkel vendosi të largohet me dëshirën e saj, pavarësisht se cili do të jetë rezultati zgjedhor.
Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, ndodh që në Gjermani nuk kandidon kancelari ende në detyrë.
Merkel vendosi të dalë në pension, duke lënë një model për t’u ndjekur si trashëgimi nga e djathta gjermane dhe ajo europiane.
Ruajtja e stabilitetit ekonomik dhe politik, si dhe e ardhmja e të rinjve ishin porositë që ajo i la pasardhësit në detyrë, i cili do të dalë pas zgjedhjeve të ditës së sotme.
Me siguri ajo nuk do të qëndrojë dhe as do të kërkojë të rikthehet më në politikë pas katër, apo tetë vitesh. Nuk i bashkoi ajo dy gjermanitë, nuk e shembi ajo Murin e Berlinit, nuk e solli ajo demokracinë në pjesën lindore.
Madje këtë nuk e pretendoi as paraardhësi i saj në parti. E djathta në Gjermani dhe kudo në Europë ekziston, shënon sukses, progres të shoqërisë, sepse së pari, ajo është e vërtetë.
Nëse e djathta europiane do të ishte ngritur përmes mashtrimit dhe partia do të rrotullohej rreth një njeriu të vetëm, si në Shqipëri, sigurisht ajo do të kishte ‘vdekur’ me kohë.
Duke mos u ngritur kurrë si një alternativë e vërtetë është kjo arsyeja kryesore, pse ajo refuzohet nga shqiptarët. Është arsyeja e vetme që aktualisht ndodhet në krizë të thellë.
Sfida për themelimin e së djathtës shqiptare mbetet ende një sfidë. Për të ngritur një të djathtë sa më të vërtetë dhe moderne në Shqipëri nuk është nevoja për të pritur ndonjë shpikje nga ish anëtarët e partisë së Enverit.
Gjermania si model aty është dhe aty do të jetë për të gjithë ata që duan të mësojnë prej saj, ose që e duan Shqipërinë të jetë sa më afër saj.