Një 28-vjeçare shqiptare e Kosovës ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës së ushtruar nga ish-bashkëshorti i saj. Raportohet se çifti janë nga Mitrovica, ndërsa viktima është identifikuar si Jetmira Beka, nënë e tre fëmijëve.
Ngjarja e rëndë ndodhi në parkingun e një marketi në Aachen të Gjermanisë, mbrëmjen e së shtunës. Disa orë më vonë në polici u dorëzua një 37-vjeçar, ish-bashkëshorti i të ndjerës, që dyshohet se e vrau atë, raporton “Bild”.
Kryeprokurorja e Aachenit, Katja Schleknermann-Pitts bëri të ditur të hënën për “Bild”, se bëhej fjalë për një çift që ishin ndarë. Ajo tha më tej se nuk dihen ende motivet e vrasjes.
Krimi ndodhi rreth orës 19:00 të së shtunës në mbrëmje, në sy të klientëve. Policia kishte rrethuar vendin e krimit dhe zonën përreth.
Jetmira Beka
Çifti ishin divorcuar për shkak të dhunës që ish-burri kishte ushtruar ndaj 28-vjeçares.
Në momentin e vrasjes së Jetmirës, ishte e pranishme edhe motra e saj. I dyshuari ndodhet në paraburgim që nga e diela.
Në vendin e krimit u vendosën lule
E ëma e 28 vjeçares, Jetmira Beka e cila u masakrua me thikë nga bashkëshorti i saj, Besmir Ademi në Gjermani, ka rrëfyer se e bija ishte torturuar nga mënyrat më çnjerëzore nga i shoqi i saj i cili nuk pranonte divorcin. Mes të tjerash ajo tha se Besmir Ademi e kishte kërcënuar edhe me vrasjen e të bijës nëse do të firmoste për t’u divorcuar.
“Ai s’ka mundur ta përballojë atë pse kjo ndahet prej meje. Ajo është rrahur me kabull të televizorit. Është rrahur me thikë në fytë, me çelësa të makinë. I ka thënë që nëse ndahesh prej meje, ka me ta pre çikën, Ledinën. Që çika, Ledina i ka 7 vjet”, tha ajo.
Në një intervistë të dhënë për mediat e Kosovës, e ëma e Jetmira Bekës, tha se prej 8 vitesh e bija kërcënohej nga familjarët e Besmir Ademit.
“Që prej 8 vitesh e kërcënuar prej tyre, jo e vrasim sot, jo e vrasim nesër. Nëse ti thua diçka në familjen tënde, ose ndahesh prej meje. Ai ka përdor dhunë fizike, dhunë psiqike. Ai ka përdor dhunë që nuk e përdor një serb, se s’po du me përdor fjalën serb se edhe ai është popull, por unë e kam babën e zhdukur prej Serbisë. Po nuk e përdor dhunën që e përdor Besmir Ademi. Ky është nipi i avokatit Sheremet Ademi. Sheremet Ademi që i mbron të drejtat e njeriut, s’ka qenë në gjendje me na thirrë me thanë ka ndodhur çfarë ka ndodhur, na vjen keq, edhe Jetmirën, që ka qenë një çike që nuk mundesh me e gjet në trojet shqiptare, s’ka thirrur me na kërku falje”, tha ajo.
Ajo rrëfen se vajza e tij është ndarë që dy muaj nga burri, me ndërhyrjen e shtetit gjerman.
“Jetmira është ndarë që dy muaj prej tij. E ka ndarë shteti gjerman për shkak të dhunës që ka përdorur Besmir Ademi. Jetmira ka ikur prej shtëpisë. Policia e ka kthyer Jetmirën në shtëpi se i ka tre fëmijë. Pas 10 ditëve, shteti e ka marrë Jetmirën e ka çuar në shtëpinë e grave”, tha ajo më tej.
Familjari i 28-vjeçares shqiptare që u vra nga ish-burri të shtunën në mbrëme në Gjermani, është shprehur se gjatë martesës Jetmira Beka është përballur me dhunë nga ish-bashkëshorti, veprime të cilat bën që çifti të shkurorëzohet.
“Viktima ka qenë e martuar, por për shkak të dhunës që ka ushtruar ish bashkëshorti i saj janë ndarë”, ka thënë ky familjar.
Ai tregoi se ngjarja e rëndë ka ndodhur në një parking të një marketi në Gjermani, ku siç u shpreh ai “E ka vrarë 28-vjeçaren duke e goditur, dhe ka lënë të plagosur edhe motrën e saj 18 vjeçare”.
Ai theksoi se varrimi i viktimës do të bëhet në Kosovë, ndërsa tregoi se viktima la pas vetes tre fëmijë.
“Po presim që varrimi të bëhet në Kosovë, kur ta sjellin trupin e të ndjerës. Viktima ka lënë tre fëmijë të vegjël. Më i madhi është në klasë të parë”, tha familjari i viktimës për Telegrafin.