GJERMANI-Në orën 00:00 të kësaj mesnate ka nisur greva e punonjësve në aeroportet e Gjermanisë, e cila është njoftuar se do të zgjasë 24 orë.
Mbi 500,000 pasagjerë në Gjermani pritet të mos mund ta realizojnë udhëtimin e tyre të hënën, për shkak të grevave të paralajmëruara nga sindikata Verdi. Greva ka përfshirë 13 aeroporte të vendit, përfshirë ato më të mëdhatë si ato të Frankfurtit dhe Mynihut. Gjithashtu, një grevë e papritur nisi edhe në aeroportin e Hamburgut që të dielën.
Aeroportet që do të preken nga kjo grevë janë Mynihu, Stuttgart, Frankfurt, Koln/Bonn, Düsseldorf, Dortmund, Hannover, Bremen, Hamburg, Berlin-Brandenburg dhe Leipzig-Halle. Për më tepër, një grevë në sektorin e sigurisë ajrore do të zhvillohet në aeroportet Weeze dhe Karlsruhe/Baden-Baden, raporton ZDF.
Për pasojë, më shumë se 3,400 fluturime pritet të anulohen dhe rreth 510,000 pasagjerë nuk do të mund të nisen ose do të kenë vonesa të mëdha. Aeroporti i Frankfurtit ka paralajmëruar se operacionet do të kenë ndikime të mëdha, ndërsa aeroporti i Berlinit ka njoftuar se do të pezullonte plotësisht fluturimet për këtë ditë. Aeroportet e tjera presin një reduktim të konsiderueshëm të orarit të fluturimeve dhe vonesa të shumta.
Për të mësuar nëse fluturimi juaj është prekur, pasagjerët mund të kontrollojnë faqet e internetit të aeroportit dhe kompanive ajrore, ku tashmë janë shënuar shumë fluturime të anuluara.
Kjo grevë bëhet në kuadër të negociatave për kushtet e punës në shërbimin publik të Gjermanisë, me kërkesa për rritje të pagave dhe kushte më të mira pune. Sindikata Verdi kërkon një rritje prej 8% të pagave, ose të paktën 350 euro më shumë në muaj dhe tre ditë pushim shtesë për punonjësit. Pala punëdhënëse ka kundërshtuar këto kërkesa, duke theksuar se do të sillnin kosto të mëdha për komunat.
Negociatat do të vazhdojnë në një raund të tretë më 14 mars, dhe gjithashtu do të zhvillohen bisedime të tjera për përmirësimin e kushteve të sigurisë ajrore, që do të fillojnë më 26 mars.
Komente
