Gjermani/ Konfiskohet kokainë mes frutave dhe perimeve me vlerë 2.6 miliardë euro, arrestohen 7 persona! Vinte nga Amerika Latine

18 Qershor, 10:54| Përditesimi: 18 Qershor, 15:14

  • Share

Një sasi e madhe kokaine me vlerë 2.6 miliardë euro është sekuestruar në Gjermani në disa anije me kontejnerë, ndërsa kanë rënë në pranga 7 persona.

Prokurorët në qytetin perëndimor të Dyseldorfit thanë të hënën (17 qershor) se ata konfiskuan edhe 35.5 ton kokainë vitin e kaluar pas një njoftimi nga autoritetet kolumbiane.

25 ton kokainë u gjet në portin në qytetin verior të Hamburgut, 8 ton të tjerë në portin holandez të Roterdamit dhe pothuajse 3 ton në Kolumbi. Droga ishte e fshehur mes perimeve dhe frutave.

Duke punuar me Europolin në një operacion të njohur si OP Plexus, autoritetet gjermane identifikuan tetë të dyshuar kryesorë: dy gjermanë, dy turq dhe të tjerë nga Azerbajxhani, Bullgaria, Maroku dhe Ukraina. Të dyshuarit, të moshës ndërmjet 30 dhe 54 vjeç, u arrestuan javët e fundit dhe besohet se kanë qenë pjesë e trafikut të drogës.

Policia sekuestroi disa telefona celularë dhe laptopë, si dhe shufra ari, 23,300 euro para në dorë dhe një makinë Porsche me vlerë rreth 250,000 euro.

Një biznesmen nga shteti gjerman perëndimor i Rhein-Ëestfalisë së Veriut krijoi kompani për t’i bërë transportet të dukeshin të ligjshme, thanë prokurorët.

“Konkretisht, të dyshuarit akuzohen për organizimin e transportit të 10 kontejnerëve me sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Evropës në periudhën nga prilli deri në shtator 2023 me bashkëpunëtorë të tjerë ende të panjohur që dyshohet se banonin në Turqi nëpërmjet kompanive frontale të ngritura për këtë qëllim”, thuhet në një deklaratë me shkrim të prokurorëve sipas The Guardian.

 

S.B//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?