Aeroporti i Mynihut në Gjermani u detyrua të mbyllet për 7 orë për shkak të pranisë së disa dronëve. Në total u pezulluan 17 fluturime pak pas orës 22:00, duke prekur rreth 3.000 pasagjerë. Përveç kësaj, 15 fluturime u devijuan drejt Shtutgartit, Nurembergut e Frankfurtit, dhe në Vjenë, në Austrinë fqinje.
Prania e dronëve të parë u raportuan nga dëshmitarë rreth orës 21:30. Rreth një orë më vonë, dronët u panë sërish mbi zonën e aeroportit, incident që u konfirmua edhe nga zëdhënësi i Policisë Federale, Stefan Bayer. Por, për shkak të errësirës, nuk mund të jepej informacion mbi llojin apo përmasat e mjeteve ajrore.
Aeroporti u rihap në orën 5 të mëngjesit sipas orës lokale, kur mbërritjet dhe nisjet e fluturimeve u konsideruan të sigurta, tha për CNN një punonjës i telefonatave që po përgjigjej pyetjeve të pasagjerëve.
Rreth 15 dronë u panë mbrëmë edhe mbi bazën ushtarake Elsenborn në Belgjikën lindore. Baza ushtarake Elsenborn mbulon një sipërfaqe totale prej 28 kilometrash katrorë. Është një poligon stërvitjeje ushtarake me një zonë sigurie ku kryhen ushtrime me armë zjarri dhe testohen edhe dronët. Për ngjarjet reagoi BE.
“Prania e dronëve në Belgjikë tregon edhe një herë se i gjithë Bashkimi Evropian është në rrezik. Ne jemi padyshim të vetëdijshëm për atë që po ndodh në shtetet tona anëtare", tha zëdhënësi i Mbrojtjes së Komisionit Evropian, Thomas Regnier, në konferencën e tij të përditshme për shtyp.
Mynihu bëhet aeroporti i fundit evropian që mbyllet pas pranisë së dronëve aty pranë. 20 dronë rusë kaluan në Poloni dhe avionë luftarakë rusë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë kohët e fundit. Aeroportet e Kopenhagenit dhe Oslos u detyruan të mbyllen gjithashtu për shkak të disa dronëve.
Rusia ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa autoritetet daneze thonë se nuk ka prova se Moska ishte e përfshirë. Për shkak të këtyre incidenteve, që evropianët besojnë se është një luftë hibride ndaj tyre e nisur nga Rusia, kanë ndërmarrë iniciativën e "murit" kundër dronëve, dhe nuk do të jetë një mur fizik, por një rrjet i sistemeve të zbulimit dhe përgjimit.
BE ka reaguar për dronët që u pikasën pranë një baze ushtarake në Belgjikë, duke thënë se incidenti tregon edhe njëherë se Unioni është në rrezik. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Mbrojtjes së Komisionit Evropian, Thomas Regnier tha po hetojnë dhe identifikojnë nga vijnë këto dronë.
"Prania e dronëve në Belgjikë tregon edhe një herë se i gjithë Bashkimi Evropian është në rrezik. Ne jemi padyshim të vetëdijshëm për atë që po ndodh në shtetet tona Anëtare. Ne padyshim kemi diskutime politike me shtetet tona Anëtare; tani u takon atyre të hetojnë. Ne gjithmonë kemi deklaruar qartë se u takon Shteteve Anëtare të hetojnë dhe të identifikojnë nga vijnë këto dronë dhe çfarë rreziqesh mund të paraqesin për shtetet Anëtare. Kjo edhe një herë thekson atë që Presidentja (Ursula) von der Leyen dhe Komisioneri (Andrius) Kubilius thanë gjithashtu në Danimarkë, përkatësisht se një barrierë kundër dronëve do të mbronte të gjithë Bashkimin Evropian. Nevojitet një qasje 360 gradë, siç demonstrohet edhe një herë nga rasti i dy Shteteve Anëtare që u shënjestruan", tha ai, duke përmendur Belgjikën dhe Gjermaninë.
"Nëse i marrim në konsideratë këto dy shtete anëtare, nuk po flasim më për vendet në vijën e frontit. Nuk po flasim më për vendet në krahun lindor. Po flasim për Bashkimin Evropian në tërësi", shtoi zëdhënësi.
Rreth 15 dronë u zbuluan mbrëmë në bazën ushtarake Elsenborn në Belgjikë. Lajmi u zbulua nga mediat VRT dhe Het Laatste Nieuws, ndërsa ministria e mbrojtjes njoftoi hapjen e një hetimi. Baza strehon një kamp stërvitjeje të ushtrisë belge, në kufirin me Gjermaninë. Dronët u zbuluan rastësisht gjatë një prove.
Komente
