Princ Dobroshi

Bota

Gjermani/ ‘Peshkaqeni’ shqiptar trafikoi 10 tonë kokainë, dënohet me 13 vite burg

19 Shtator, 11:15| Përditesimi: 19 Shtator, 11:53

  • Share

Gjykata rajonale e Hamburgut ka dënuar me 13 vjet burg “një nga bosët më famëkeqë të drogës në Evropë”. Shqiptari nga Kosova, Princ Dobroshi u shpall fajtor më 17 shtator.

Në gjyq u dëshmua se ai ishte përgjegjës për trafikimin e një sasie të paimagjinueshme droge. Bëhet fjalë për 10 tonë kokainë të kontrabanduar nga Amerika Jugore dhe Qendrore me anije përmes portit të Hamburgut në vitin 2020. Dobroshi organizoi kryesisht operacionin. Ai ka qenë i njohur në botën e krimit për dekada të tëra me nofkën “Peshkaqeni”.

Princ Dobroshi kishte nisur karrierën si kontrabandist droge që në vitet 1990. Ai u arrestua në Norvegji në vitin 1993, por u arratis nga burgu në vitin 1997. U rikap në Pragë në vitin 1999 dhe u lirua në vitin 2005. Tani gjykata e gjeti të provuar se ai luajti përsëri një rol kyç në krimin e organizuar. Kokaina u transportua përtej Atlantikut në kontejnerë nga Kolumbia, Brazili ose Republika Dominikane e fshehur në banane, oriz, qymyr ose xhelatinë.

Në Hamburg, kontejnerët u hapën dhe pasi substanca u hoq, u vulosën përsëri me vula të falsifikuara. Dobroshi ishte gjithmonë në dijeni të bisedave dhe organizoi transportin dhe rikuperimin. Dyshohet se ishin të përfshirë edhe punëtorët e portit. Rrjeti mbulonte të gjithë logjistikën deri në rishitjen e drogës që kapte miliona euro.

Pika thelbësore për identitetin e tij erdhi nga deshifrimi i aplikacionit të kriptovalutave EncroChat. Dobroshi u arrestua në Shqipëri në fund të vitit 2023 dhe u ekstradua në Gjermani në vitin 2024.

Pas një heshtjeje fillestare, “peshkaqeni” vendosi të rrëfehet. Kjo shërbeu si një faktor lehtësues. “Gjyqi në fakt duhej të zgjaste deri më 1 prill 2026. Kjo do të thoshte se 42 ditë të gjyqit mund të shpëtoheshin”, – tha për BILD, Dr.Marayke Frantzen, zëdhënëse e gjykatës. Megjithatë, sasia e drogës dhe roli kryesor i Dobroshit në rrjetin e bandave e bënë dënimin më të rëndë.

Përveç dënimit me burg, shteti synon gjithashtu të mbledhë 8.2 milionë euro dëmshpërblim që do t’i konfiskohen Dobroshit. 2.5 milionë euro në para të gatshme u sekuestruan që në vitin 2020. Zyra e prokurorit publik duhet vetëm të përcaktojë se si do t’i rikuperojë paratë e mbetura.

Më 29 mars të 2024-ës, me kërkesë të SPAK iu sekuestruan pasuritë e tij dhe kunatit Olsi Syziu. 'Peshkaqenit', atij iu sekuestruan 10 llogari bankare me vlerë 133 mijë euro, një vilë në Gjirin e Lalzit, dy apartamente te Kodra e Diellit, një tjetër te Liqeni i Thatë, makinë Volvo, dhe shoqërinë tregtare ‘SLAI’.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?