Aeroporti i Mynihut, foto arkiv

Bota

Gjermani/ Aeroporti i Mynihut mbyllet sërish gjatë natës për shkak të dronëve, incidenti i dytë brenda pak orësh! Devijohen 30 fluturime

4 Tetor, 07:34| Përditesimi: 4 Tetor, 07:44

  • Share

Autoritetet gjermane mbyllën Aeroportin e Mynihut për të dytën natë radhazi pas një dyshimi për praninë e dronëve aty pranë. Të dyja pistat u mbyllën ndërsa forcat e rendit hetonin situatën. Raportet fillestare tregojnë se kapiteni i një aeroplani, fluturimi i të cilit u anulua, u tha pasagjerëve se ishin parë përsëri dronë. Një zëdhënës i policisë së aeroportit konfirmoi për mediat lokale se të dy pistat në Aeroportin e Mynihut ishin mbyllur, por nuk dha zyrtarisht një shkak.

Problemet e para thuhet se filluan pak pas orës 22:00 të së premtes, më 3 tetor. Harta në kohë reale në platformën Flightradar24 tregon se që nga ora 22:50, më shumë se 30 fluturime hyrëse ishin devijuar dhe lidhjet ishin anuluar, përveç disa nisjeve të planifikuara që mbeten të pezulluara. "Mbërritjet dhe nisjet janë pezulluar deri në orën 2 të mëngjesit (ora lokale) të së shtunës, 4 tetor, në Mynih për shkak të pranisë së dronëve", lexohet në buletinet e Eurocontrol, agjencia që koordinon lëvizjet në hapësirën ajrore evropiane.

"Mbrëmjen e 3 tetorit, kontrolli gjerman i trafikut ajror (DFS) kufizoi operacionet e fluturimeve në aeroportin e Mynihut si një masë paraprake për shkak të pranisë së pakonfirmuara të dronëve dhe i pezulloi ato deri në një njoftim të ri", shpjegon kompania që menaxhon aeroportin në një deklaratë. "Është e rëndësishme të theksohet se zbulimi dhe mbrojtja ndaj dronëve janë detyra sovrane dhe hyjnë në përgjegjësinë e policisë federale dhe shtetërore".

Mbrëmjen e së enjtes, aeroporti u mbyll për disa orë për shkak të dronëve pothuajse në të njëjtën kohë: 17 fluturime nisjeje u anuluan (gati 3,000 pasagjerë mbetën të bllokuar) dhe 15 fluturime të tjera hyrëse u devijuan në aeroporte të tjera. Një situatë e ngjashme ndodhi në Danimarkë, Norvegji dhe Poloni në ditët e mëparshme. /Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?