Berlin - Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier urdhëroi sot shpërndarjen e Parlamentit dhe caktoi zgjedhje të reja të parakohshme për 23 shkurt, pas rënies së koalicionit qeveritar të udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz.
Kancelari humbi një votëbesimi më 16 dhjetor dhe po udhëheq një qeveri të pakicës pasi i ashtuquajturi 'koalicion semaforik' i tre partive 'u shemb' më 6 nëntor pas shkarkimit të ministrit të financave nga detyra. Prandaj, liderët e partive kryesore vendosën të shpallin zgjedhjet parlamentare për 23 shkurt, 7 muaj më herët se sa ishte planifikuar fillimisht.
Kushtetuta gjermane parashikon se i takon presidentit të vendosë nëse do të shpërndajë Parlamentin dhe do të thërrasë zgjedhjet.
Presidenti gjerman zhvilloi konsultime me të gjitha partitë, thotë Dojce Vele dhe pas tyre ai vendosi që zgjedhjet e parakohshme të mbahen më 23 shkurt 2025.
"Në kohë të vështira, nevojitet një qeveri e aftë për të vepruar", tha presidenti Frank-Walter Steinmeier, pas vendimit për shpërbërjen e Bundestagut.
Krerët e partive politike: SPD, Unionit CDU/CSU dhe partitë e tjera kanë rënë dakord që të kërkohen zgjedhje të reja dhe të kërkohet një shumicë që ofron stabilitet, në këto kohëra të vështira.
Steinmeier kishte 21 ditë për të marrë këtë vendim. Pasi të shpërndahet Parlamenti, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 60 ditëve./La Repubblica