Gjermani- Autori i sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë, kishte lënë testamentin e tij në makinën e tij, sepse ai mendonte se do të vdiste.
Revista gjermane “Spiegel” thekson se krimi i 20 Dhjetorit në qytetin e Saksoni-Anhalt, i cili la pesë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, të kujtonte sulmin terrorist në tregun e Krishtlindjeve në Breitscheidplatz të Berlinit tetë vjet më parë, por këtë herë autori nuk është islamist.
Në vend të kësaj, Taleb Al Abdulmohsen thuhet se hoqi dorë nga besimi i tij vite më parë dhe u shfaq si një kundërshtar radikal i Islamit dhe në postimet e tij në internet u paraqit si një mbështetës i vendosur i partisë së ekstremit të djathtë AfD, ndërsa kërkonte kontakte me blogerët anti-muslimanë në SHBA.
Sipas publikimit në testament, të gjetur në makinën me qira me të cilën ka kryer sulmin, 50-vjeçari nuk kishte përfshirë asnjë mesazh politik.
Madje dyshohet se të gjithë pasurinë e tij ia lë trashëgim Kryqit të Kuq Gjerman. Autori 50-vjeçar i sulmit po mbahet në një burg të sigurisë së lartë pranë Magdeburgut.
Atij i është caktuar masa e paraburgimit, i akuzuar për pesë vrasje dhe më shumë vrasje në tentativë , si dhe për lëndime të rënda trupore. Për momentin nuk ka pasur ndjekje penale për terrorizëm.
Mbrëmjen e së premtes së kaluar, pak pas orës 19:00, sulmuesi futi BMW-në me qira në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg dhe lëvizi me shpejtësi për disa qindra metra nëpër sheshin e mbushur me njerëz. Pesë persona vdiqën në sulm dhe 200 u plagosën. Abdulmohsen u arrestua pranë makinës pak minuta pas krimit.