Gjermania dhe Franca bëjnë thirrje për formimin e shpejtë të Qeverisë së Kosovës

22 Shkurt 2021, 12:17| Përditesimi: 22 Shkurt 2021, 16:08

  • Share

Rezultatet e zgjedhjeve të 14 Shkurtit në Kosovë, nuk janë certifikuar ende, megjithatë Gjermania dhe Franca bënë thirrje për formimin e shpejtë të Qeverisë së re të Kosovës dhe për zgjedhjen e presidentit.

Në një postim në Twitter, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha po ashtu se dy vendet “i urojnë qytetarët e Kosovës, Albin Kurtin, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanin për rezultatin në zgjedhje. Ne bëjmë thirrje për një formim të shpejtë të qeverisë dhe zgjedhje të Presidentit, sapo të finalizohet rezultati,” thuhej në postimin e ambasadorit.

Gjermania dhe Franca deklaroi ambasadori do të mbështesin reformat, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërkohë që theksoi edhe njëherë rëndësinë e vazhdimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë dhe integrimit evropian të dy vendeve.

Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë. Vjosa Osmani ka qenë kandidate e listës së Vetëvendosjes për presidente.

Rezultatet janë ende preliminare, pasi kanë mbetur pa u numëruar votat nga diaspora, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta. Javën e kaluar, edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, u ka bërë thirrje partive fituese në Kosovë, që të formojnë Qeverinë “shpejt dhe me efikasitet”.

Ndërkohë që në bazë të deklaratave të zëdhënësit të KQZ-së Qendra e Numërimit dhe Rezultateve në Kosovë do t’i rekomandojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rinumërimin e rreth 500 vendvotimeve nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit, pasi në to ka pasur disa gabime.

Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit, qytetarët kanë votuar në 888 qendra të votimit me 2,382 vendvotime.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?