Foto ilustruese

Bota

Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar letër OKB-së, gati të rivendosin sanksionet bërthamore ndaj Iranit

13 Gusht, 11:59| Përditesimi: 13 Gusht, 12:04

  • Share

Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca shprehen të gatshme të aktivizojnë mekanizmin e rivendosjes së sanksioneve kundër Iranit nëse nuk do të gjendet një zgjidhje e negociuar për programin bërthamor iranian deri në fund të muajit gusht, në një letër drejtuar OKB-së.

Në këtë letër, të siguruar nga AFP dhe që konfirmon një informacion të publikuar nga e përditshmja Financial Times, tre ministrat e Punëve të Jashtme theksojnë se kanë “treguar qartë se, nëse Irani nuk dëshiron të arrijë një zgjidhje diplomatike deri në fund të gushtit 2025, ose nuk e shfrytëzon mundësinë e një shtyrjeje”, ata janë “të gatshëm të aktivizojnë mekanizmin” që lejon rikthimin e të gjitha sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit.

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, homologu i tij francez Jean-Noël Barrot dhe ai britanik David Lammy shprehen megjithatë “plotësisht të përkushtuar për një zgjidhje diplomatike të krizës së shkaktuar nga programi bërthamor iranian dhe do të vazhdojnë kontaktet e tyre për të arritur një zgjidhje të negociuar”.

Letra, e adresuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, dhe Këshillit të Sigurimit, vjen dy muaj pas bombardimeve izraelite dhe amerikane mbi objektet bërthamore në Iran, të cilat ndërprenë negociatat e nisura mes Teheranit dhe Uashingtonit nga njëra anë, dhe diskutimet me E3 – tre vendet evropiane – nga ana tjetër.

Pas kësaj lufte 12-ditore, Irani pezulloi bashkëpunimin e tij, tashmë të kufizuar, me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA). Por ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, njoftoi të dielën se një zëvendësdrejtor i përgjithshëm i agjencisë pritej të hënën në Teheran për të diskutuar një kuadër të ri bashkëpunimi.

I njëjti Araghchi dërgoi muajin e kaluar një letër në OKB ku argumentonte se E3 nuk kishte legjitimitetin për të riaktivizuar mekanizmin e sanksioneve. Në përgjigje, ministrat gjerman, britanik dhe francez shkruajnë në letrën e tyre të dërguar të martën se këto pretendime janë “të pabazuara”.

Tre vendet, si pjesëmarrëse në marrëveshjen e vitit 2015 të njohur me akronimin JCPOA, “do të ishin qartësisht dhe në mënyrë të padyshimtë të justifikuara nga pikëpamja ligjore për të përdorur dispozitat përkatëse të Rezolutës 2231 (2015) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të aktivizuar mekanizmin”, argumentojnë ata.

Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania janë, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Rusinë, anëtare të marrëveshjes bërthamore të përfunduar me Iranin në vitin 2015, e cila parashikonte kufizime të rëndësishme për programin bërthamor iranian në këmbim të heqjes graduale të sanksioneve të OKB-së.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën njëanshmërisht nga ajo marrëveshje në vitin 2018 dhe rivendosën sanksionet e tyre, por vendet e E3 kishin rikonfirmuar angazhimin e tyre ndaj marrëveshjes dhe kishin deklaruar se dëshironin të vazhdonin shkëmbimet tregtare me Iranin. Sanksionet e OKB-së dhe të Bashkimit Evropian, pra, nuk janë rikthyer.

Në letrën e tyre, ministrat rendisin një seri “jo përfundimtare” të angazhimeve bërthamore të parashikuara nga marrëveshja e vitit 2015 që “Irani nuk i ka respektuar”, në veçanti akumulimin e një sasie totale të uraniumit të pasuruar “mbi 40 herë më shumë” se kufiri i përcaktuar nga traktati./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Igor: 13/08/2025 15:09

    Ju te dyte nuk keni hequr dore nga Fashizmi njerin e denoni me gjith forcen kurse tjetrit i lejohet te prodhoj arme berthamore (IZRAELIN )pra per mua mbeteni Fashistet e shekullit 21.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?