Gjermania lëshon urdhër-arrestin e parë lidhur me shpërthimin në gazsjellësin ‘Nord Stream’

15 Gusht, 22:07| Përditesimi: 15 Gusht, 22:08

  • Share

Prokurorët gjermanë lëshuan urdhër-arrestin e parë në kuadër të hetimeve mbi shpërthimin në thellësi të detit në vitin 2022 që dëmtoi tubacionet e gazsjellësit ‘Nord Stream’ që transportonte gazin rus drejt Gjermanisë, njoftuan mediat gjermane të mërkurën.

Prokurorët në Poloni thonë se ata morën një urdhër-arrest për një të dyshuar ukrainas, por shtojnë se ai ishte larguar nga vendi para se të arrestohej.

Televizioni publik gjerman ARD, e përditshmja Sueddeutsche Zeitung dhe gazeta e përjavshme Die Zeit në një artikull të përbashkët raportuan se prokurorët shtetërorë kishin lëshuar në qershor një urdhër-arrest ndaj një shtetasi ukrainas, i cili besohet se kishte jetuar në Poloni së fundmi. Në raportin e mediave, i cili nuk citonte burime, ky person u identifikua si Wolodymyr Z.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm gjerman tha se nuk komenton raportet e mediave apo urdhër-arrestet.

Por, Zyra e prokurorit kombëtar të Polonisë konfirmoi që prokurorët e qarkut në Varshavë kishin morrë një urdhër-arrest evropian për shtetasin ukrainas Wolodymyr Z. nga autoritetet gjermane në qershor, pa dhënë detaje se për çfarë akuzash bëhet fjalë.

Zyrtarët thanë se autoritetet nuk kanë arritur ta arrestojnë atë, ngaqë ai kishte kaluar kufirin nga Polonia në Ukrainë në fillim të muajit korrik.

Shpërthimet e 26 shtatorit të vitit 2022 dëmtuan tubacionet, të cilët ishin ndërtuar për të tra sportuart gazin natyror nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik. Dëmi nga shpërthimi përshkallëzoi tensionet rreth luftës në Ukrainë pasi shtetet evropiane morën hapa që të ndërpresin furnizimin nga burimet energjitike ruse. Se kush ishte përgjegjës për këtë vepër sabotazhi mbetet ende mister dhe deri më tani hetuesit nuk kanë dhënë asnjë detaj rreth gjetjeve të tyre.

Autoritetet suedeze dhe daneze i mbyllën hetimet e tyre në shkurt, duke lënë prokurorët gjermanë si të vetimit që po vazhdojnë hetimet mbi këtë incident.

Shpërthimet ndodhën në një kohë kur Evropa po përpiqej të ndërpriste furnizimin nga burimet ruse të energjisë pas sulmit të shkallës së gjerë që ndërmori Kremlini në Ukrainë. Ato dëmtuan tubacionet e gazsjellësit ‘Nord Stream 1’, që ishte rruga kryesore e furnizimit me gazin natyror nga Rusia në Gjermani deri në muajin gusht të vitit 2022, kur Rusia ndërpreu furnizimin.

Shpërthimet po ashtu dëmtuan gazsjellësin “Nord Stream 2”, i cili kurrë nuk u vu në funksionim, ngaqë Gjermania pezulloi procesin e certifikimit pak pasi Rusia sulmoi Ukrainën në muajin shkurt të atij viti.

Rusia akuzoi Shtetet e Bashkuara për inskenim të shpërthimeve, akuzë që Uashingtoni e kundërshton. Tubacionet ishin kritikuar përçues ishin nga Shtetet e Bashkuara dhe nga disa prej aleatëve për një kohë të gjatë. Ato paralajmëronin se gazsjellësi paraqiste rrezik për sigurinë evropiane të energjisë për shkak të varësisë së madhe ndaj gazit rus.

Në mars të vitit 2023, mediat gjermane raportuan se një grup pro-Ukrainës ishte i përfshirë në sabotim. Ukraina i hodhi poshtë pretendimet se mund të ketë urdhëruar sulmin dhe zyrtarët gjermanë janë shprehuar të rezervuar rreth këtyre akuzave.

Vitin e kaluar zyrtarët thanë se hetimet kishin zbuluar gjurmë të lëndës shpërthyese në mostrat e mbledhura nga një jaht që ishte kontrolluar në kuadër të hetimeve.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Wolfgang Buchner nuk komentoi rreth urdhër-arrestit, duke iu referuar prokurorëve shtetërorë. Por ai tha se zbardhja e kësaj ngjarje mbetet “përparësi kryesore.”/VOA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?