Kancelari Friedrich Merz dhe forca ushtarake

Bota

Gjermania reformon ushtrinë: Rusia mbetet rreziku më i madh për sigurinë në Europë

27 Gusht, 13:15| Përditesimi: 27 Gusht, 13:24

  • Share

Për herë të parë pas më shumë se tre dekadash, rikthimi i qeverisë gjermane nga pushimet verore do të bëhet në Ministrinë e Mbrojtjes. Dhe nuk është rastësi: Friedrich Merz ka vendosur që mbledhja e parë e kabinetit të tij të jetë një homazh për Bundeswehr-in dhe për reformën që do të miratohet sot. Një riorganizim i trupave gjermane që synon një objektiv ambicioz: forcimin e ushtrisë duke garantuar në të ardhmen një minimum prej 260 mijë ushtarësh aktivë dhe 200 mijë rezervistësh.

Aktualisht Bundeswehr ka 181.984 ushtarë. Polemikat e shpërthyera brenda shumicës, që ka gjasa të reflektohen edhe në diskutimin në Parlament, lidhen me mënyrat për të arritur këtë rezultat. Ministri i Mbrojtjes, socialdemokrati Boris Pistorius, kërkon ta arrijë shifrën e 260 mijë ushtarëve përmes një rekrutimi, për momentin, vullnetar. Për këtë flitet prej më shumë se tre vitesh, që nga nisja e luftës në Ukrainë, kur ish-kancelari Scholz shpalli Zeitenwende, kthesën epokale në strategjitë e Gjermanisë, dikur e konsideruar si “xhind” ushtarak. Por kthesa ka vonuar dhe tani reforma e Bundeswehr-it mbërrin në tryezën e qeverisë e shoqëruar nga debate të mëdha mes CDU-së dhe SPD-së.

Ditët e fundit, Ministria e Jashtme e drejtuar nga kristiandemokrati Johann Wadephul e kishte bllokuar. Për shefin e diplomacisë, sistemi vullnetar i reformës nuk mund të garantojë kurrë ardhjen e 80 mijë ushtarëve shtesë. Duhet një mekanizëm më detyrues. Në prag të mbledhjes së sotme, Wadephul hoqi veton, edhe sepse kancelari dëshiron ta shohë reformën të miratuar. Dje Merz mohoi se ka përçarje në koalicion dhe theksoi se "jemi të gjithë dakord për nevojën që të shtohet ndjeshëm numri i ushtarëve". Por dyshimet brenda konservatorëve nuk janë fashitur.

SPD e Pistorius kundërshton kthimin e detyrueshëm të shërbimit ushtarak të shfuqizuar në vitin 2011. Dhe ligji që do të diskutohet sot nga qeveria parashikon një rekrutim të detyruar vetëm në raste të jashtëzakonshme, dhe me miratim paraprak nga Bundestag-u dhe Bundesrat-i. Në preambulën e reformës shkruhet se "Rusia mbetet rreziku më i madh për sigurinë në Europë dhe po krijon ushtarakisht kushtet, si në aspektin e personelit, ashtu edhe material, për të qenë në gjendje të sulmojë territore të NATO-s".

Në planet e qeverisë, të gjithë gjermanëve të lindur pas 1 janarit 2008 do t’u dërgohet vitin e ardhshëm një formular për të përcaktuar përshtatshmërinë. Për gratë rekrutimi do të mbetet rreptësisht vullnetar. Për burrat, megjithatë, përshtatshmëria mund të shndërrohet në detyrim për t’iu bashkuar ushtrisë, nëse rrethanat e jashtme do të përkeqësohen. Dhe në rast emergjence, do të merren edhe listat e të lindurve para 2008-ës. Por Pistorius është i bindur se mund të shmangë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm – të cilin lideri i CSU, Markus Soeder, e ka quajtur të dielën e kaluar "të pashmangshëm" – sepse mendon se do të mund të shtojë numrin e ushtarëve që nga viti 2026 me 20 mijë dhe deri në vitin 2030 me 38 mijë rekrutë të rinj./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?