Zëvendës kancelari i Gjermanisë Robert Habeck tha sot se të ardhurat e vazhdueshme që siguron Rusia nga çmimet e larta të karburantit krijojnë "dhimbje", por ai shtoi se ekonomia ruse është në kolaps dhe se me kalimin e kohës, situata do të bëhen edhe më të vështirë për këtë vend.
Gjatë një fjalimi në parlament, zoti Habeck, i cili është gjithashtu ministër i Ekonomisë dhe përgjegjës për çështje të energjisë, shtoi se vendi i tij, duhet të ndihet i turpëruar që nuk ka arritur ende ta zvogëlojë varësinë nga karburantet ruse.
Por megjithatë shtoi ai, të ardhurat, që siguron Rusia nga gazi e nafta, nuk të japin pamjen e saktë për të kuptuar gjithë situatën. Zoti Habeck tha se zoti Putin po vazhdon të marrë para, por ai po has në vështirësi që t'i shpenzojë ato, për shkak të sanksioneve perëndimore. Ai vuri në dukje rënien e madhe të sasisë së produkteve që hyjnë në Rusi, në mesin e tyre edhe të mallrave që vijnë nga Gjermania.
Zoti Habeck tha se “koha punon kundër Rusisë dhe kundër ekonomisë ruse” duke shtuar se “askush nuk dëshiron të investojë më në Rusi”./VOA