Gjermania shpreson te vaksina e saj ‘Pasive’ për të frenuar përhapjen e Covid

25 Shtator 2020, 18:25| Përditesimi: 25 Shtator 2020, 18:27

  • Share

Gjermania shpreson të prodhojë vaksina pasive kundër Covidit-19 pasi shkencëtarët e saj kanë mundur të izolojnë antitrupat kryesorë që zhbëjnë efektet e dëmshme të koronavirusit. 

Shkencëtarët gjermanë kanë identifikuar tre antitrupa që thuajse e neutralizojnë plotësisht virusin SARS-CoV-2 dhe do përdoren për të krijuar vaksina për situatat më urgjente.

Spitali Karite dhe Qendra Gjermane për Sëmundjet Neurologjike njoftuan se antitrupat u zbuluan në gjakun e pacientëve të shëruar më parë nga Covid-19.

Në testet laboratorike me kavjet, ata arritën t’u rikthejnë shëndetin organeve, si mushkëritë, të dëmtuara nga sëmundja infektive.

“Janë më efikasë te njerëzit e sapoprekur nga virusi i kovidit, kur virusi nuk është përhapur ende në gjithë trupin. Në rastet e pacientëve që marrin trajtim intensiv, ndoshta nuk do funksiononte, por në shtëpitë e të moshuarve, kur dikush ia përçon virusin tjetrit, mendojmë se do ia vlente.”

Prodhimi i antitrupave ka filluar dhe dozat e para të këtyre vaksinave pasive pritet të mundësohen me nisjen e provave klinike brenda 2020-ës ose vitin e ardhshëm.

Vaksinimi pasiv jep efekte për disa javë dhe antitrupat më pas shpërbëhen nga sistemi.

“Antitrupat në një vaksinë pasive jepen në doza më të larta, por mbrojtja është relativisht e shkurtër, 4 deri 8 javë maksimumi. Ne kemi izoluar edhe disa antitrupa që lidhen me indet e organeve dhe shkaktojnë efekte anësore te pacientët, si në tru. Këto zbulime i kemi publikuar dhe do na shërbejnë neve por edhe kolegëve të tjerë për të krijuar vaksina më të sigurta.”

Gjermania ka nxitur një sërë kompanish vendëse të prodhojnë vaksinë kundër koronavirusit të ri, ndërsa ka rezervuar paraprakisht më shumë doza sesa tërë popullsia e saj.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?