Prej disa kohësh opinioni publik në Gjermani është përfshirë në një debat tejet delikat: për miratimin ose jo të një ligji që lejon përdorimin dhe kultivimin e kanabisit rekreativ.
Shteti gjerman po tenton miratimin përfundimtar të ligjit i cili u lejon individëve dhe organizatave vullnetare të kultivojnë dhe posedojnë një sasi të caktuar të kësaj droge.
Drafti parashikon që individët mbi 18 vjeç mund të kultivojnë deri në 3 bimë për përdorim privat, si dhe posedimin e 25 gramëve kanabis, të cilët bëhen pjesë e të ashtuquajturave klube të kanabisit.
Për të sjellë një panoramë më të detajuar të këtij debati që po dominon në Gjermani aktualisht, e ftuar në “Studio Live” me Alda Dodaj në Report Tv, ishte mjekja Aurora Dollenberg.
Fillimisht ajo rrëfeu se ky draft-ligj ka ngjallur reagime të forta nga shoqëria civile gjermane, pasi grup-mosha më e rrezikuar nga legalizimi i kanabisit janë të miturit dhe adoleshentët, të cilët mund të tundohen lehtësisht apo edhe të abuzojnë me hapësirat që u jep ky ligj.
“Ky ligj ende është një draft, i cili aktualisht në një mbikëqyrje dhe votim të fundit nga ana e Komisionit Parlamentar. Ka pasur shumë polemika sidomos në shoqërinë civile gjermane, e cila në më shumë se 60 përqind të sondazheve ka qenë kundra miratimit ë këtij ligji prandaj nuk është akoma definitiv nëse do të kalojë me 1 prill në fuqi. Ne si mjekë, qofte unë që jam nga diaspora shqiptare por edhe mjekët gjermanë në radhë të parë ata pediatër, kanë qenë kundra miratimit të këtij ligji sepse janë pikërisht moshat nën 18 vjeç, pra fëmijët, të cilët me legalizimin e kanabisit janë tepër të kërcënuar edhe pse ligjbërërsi pretendon që do të ketë një rritje të masave kontrolluese nëpër shkolla. Përsa i përket moshave shkollore do të ketë një rritje të të gjitha masave parandaluese por jeta e përditshme tregon që është shumë e vështirë që fëmijët në një ambient shtëpiak ku posedohen më shumë se 50 gramë kanabis do të arrijnë të qëndrojnë komplet të pandikuar nga kjo drogë”,- u shpreh Dollenberg.
Mjekja shqiptare tregoi se në 5-vjeçarin e fundit Gjermania është përballur me një dyfishim të fëmijëve dhe të adoleshentëve që përdorin drogat.
“Një ndër argumentet kryesore që është përdorur nga CDU është Partia Demokristiane në Gjermani, për të kaluar në miratim këtë ligj ka qenë pikërisht rritja e konsumatorëve të moshës nën 18 vjeç. Në 5-vjeçarin e fundit në Gjermani kemi pasur një dyfishim të fëmijëve dhe të adoleshentëve që përdorin drogat, ku duket që kanabisi është një drogë startim e pasur nga droga të tjera në të rënda”,- tregoi ajo.
Për Dollenberg shteti gjerman duhet të tregohet më largpamës, duke kuptuar që miratimi i një ligji të tillë do të kërkojnë shtimin në masë të institucioneve rehabilituese për personat që mund të krijojnë varësi ndaj kanabisit, e sidomos për fëmijët që janë pjesa më naive e shoqërisë.
“Është madje një problem shumë i madh sepse shkollat e riedukimit kërkojnë një personel mjekësor të trajnuar, kërkojnë kosto shtesë që edhe Gjermania pavarësisht fuqisë së saj ekonomike nuk është se i disponon në mënyrë të menjëhershme sidomos kur bëhet fjalë për personelin mjekësor dhe atë edukativ, që do të thotë që paralelisht me klubet e kanabisit që për secilin shtet janë rreth 17 klube që duhet të hapen në shtete të ndryshme federale të Gjermanisë, duhet të ketë edhe shkolla riedukimi për të gjithë ata të rinj që si pasojë e problemeve psiqike qoftë ato të çrregullimeve bipolare, represive, të ankthit, e gjejnë shpëtimin të kanabisi, këto të rinj të mos i dënojmë duke i dënuar me burg por në shkolla riedukimi që kanë për qëllim trajtimin e shkaktarit bazë të përdorimit të drogës që është pikërisht çrregullimi psiqik”,- tha Dollenber.
Sipas Dollenberg legalizmi i kanabisit kreativ në Shqipëri do të sillte pasoja katastrofike, për shkak të një sistemi primitiv që ka vendi ynë në luftën kundër drogave në shkolla dhe çdo ambienti, i cili frekuentohet nga të rinjtë dhe jo vetëm.
“Për shoqëri si Shqipëria, aplikimi i një ligji të tillë në momentin që flasim do të ishte me pasoja katastrofale për faktin e thjeshtë që nuk kemi një rrjet të mirë të kontrollit jo vetëm të shkollave por të të gjitha institucioneve publike ku ndodhen moshat e reja, duke bërë që konsumatorët e kanabisit në Shqipëri nëse do të kishim një legalizim të kësaj droge, do të rriteshin në mënyrë të sigurt edhe ose shtete si Kanadaja apo Amerika kanë disa precedenca që nuk tregojnë se ka pasur një rritje masive, por për Shqipërinë për fatin e keq përgjigja do të ishte po, do të kishim një rritje të pakontrolluar”,-theksoi mjekja.