Cristiano Ronaldo është pezulluar me një ndeshje pasi u shfaq duke bërë një gjest të turpshëm në ndeshjen e Superligës në Arabinë Saudite. Pamjet në mediat sociale u shfaqën duke treguar Ronaldon të vendoste duart në vesh dhe duke provokuar tifozët.
Incidenti ndodhi të dielën, pak minuta pasi skuadra e Ronaldos, Al Nassr mundi Al Shabab 3-2. Gjesti i Ronaldos dukej se kishte për qëllim mbështetësit rivalë, të cilët mund të dëgjoheshin duke bërtitur "Messi".
Pezullimi për Ronaldon u njoftua këtë të enjte. Ronaldo gjithashtu duhet të paguajë një gjobë prej 20,000 rijalësh sauditë (afro 5 mijë euro) dhe vendimi nuk mund të apelohet, tha Komiteti Disiplinor dhe Etik i Federatës së Futbollit të Arabisë Saudite.
Ndërsa gjesti i ish-lojtarit të Real Madridit nuk u transmetua në televizion, pamjet e xhiruara nga tifozët u shpërndanë në rrjetet sociale dhe nuk u desh shumë kohë që veprimet e futbollistit të priteshin me kritika.