KORÇË- Gjetja e celularit të Laert Haxhiut në Burgun e Drenovës, i akuzuar si kreu i organizatës së Lushnjës rivale me të Aldo Bares, çon në shkarkimin e drejtorit të burgut dhe pezullimin e shefit të Policisë së Burgut.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mësohet se e ka shkarkuar nga detyra zyrtarin Fatjon Fasho prej ditës së djeshme, bashkë me pezullimin e vartësit të tij Sokol Kacoli, dhe pritet emërimi i pasuesve të tyre.
Shkak u bë gjetja e celularit të Haxhiut në qeli pak ditë më parë gjatë një kontrolli, teksa ai cilësohet i burgosur me rrezikshmëri të lartë.
Gjithashtu SPAK po kryen hetime të thelluara pas sekuestrimit të telefonit, duke këqyrur jo vetëm aparatin, por edhe duke bashkëpunuar në investigim me institucione të tjera. Pritet që nga zbërthimi i bisedave të zbulohen informacione me interes për hetimet që po kryhen.
Laert Haxhiu, i ekstraduar nga Greqia, akuzohet si kreu i një grupi kriminal me anëtarë që kryen të paktën 17 krime të rënda ndër vite në Shqipëri, të rrëfyera tashmë nga i penduari i organizatës, Artan Tafani, që po dëshmon edhe në GJKKO.
Haxhiu është dënuar me burg përjetë për masakrën e Lushnjës më 2017, ku u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha dhe u plagosën dy të tjerë, ndërsa shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi o ish kreut të bandës, Aldo Bare.
Aktualisht ai po gjykohet edhe për sagën kriminale të rrëfyer nga i penduari Tafani, në procesin që vijon në GJKKO.
Komente

Arestoni te jatin Qamilin, konfiskojini pasurine dhe kete kermen mbylleni ne 41 Bis. Te shohim pastaj sesa gangester eshte. Ndalojini ushqimet nga jashte, ndajeni grupin e tij jo ne te njejtin vend. Keshtu zbatohet ligji.
Përgjigju