Opozita po e sheh me skepticizëm nismën surprizë të zbuluar pak ditë më parë për krijimin e shtetit sovran të Urdhrit Bektashi brenda kryeqytetit shqiptar.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për media, akuzoi sot se kjo nismë rrezikon të përdoret politikisht nga kryeministri Edi Rama në prag zgjedhjesh.
“Shashkë politike ku Rama është përfshirë vetë, çdo përpjekje politike dhe diplomatike për të promovuar jo vetëm një nga vlerat tona kombëtare, por dhe për ta identifikuar Shqipërinë si qendër bektashiane është e mirëpritur, por nuk mund të keqpërdoret si agjendë politike, aq më tepër kur nuk janë të konsultuara dhe që rrezikojnë të kthehen në precedent për rajonin tonë”, tha ai.
Kreu i Partisë së Lirisë, thotë se për të promovuar tolerancën fetare, Rama duhet të kthejë pronat te komunitetet fetare.
“Është detyra e shtetit të angazhohemi seriozisht për të kthyer pronat dhe këtë të bëjë Edi Rama, i ka të gjitha mundësitë tja u kthejë pronat që tani se këto idetë e tjera të tij janë aventura të cilat tashmë shqiptarët i dinë mirë dhe së dyti, mos harrojmë edhe dicka tjetër se Shqipëria ka vetëm një Kushtetutë, por ka edhe një process të pakthyeshëm të Integrimit Europian”, tha ai.
Nga ana tjetër, deputetja Jorida Tabaku, tha se për nisma të rëndësishme, shqiptarët po njoftohen nga mediat e huaja.
“Tashmë jemi mësuar që vendimet e rëndësishme t’i marrë dhe t’i marrim vesh nga mediat e huaja”, tha ajo.
Ideja e Krijimit të shtetit Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi u publikua për herë të parë në gazetën 'New York Times' dhe pasqyron modelin e Vatikanit, duke i lejuar Urdhrit të veprojë në mënyrë të pavarur, në një territor rreth 27 hektarë brenda Tiranës.