Gjici: Guri pa çmim, nuk festoj për dënimin e Skënderbeut

26 Prill 2018, 14:24| Përditesimi: 26 Prill 2018, 14:39

  • Share

Klubi i Kukësit është pranë thyerjes së një rekordi në futbollin shqiptar, atë të shitjes së një lojtari shqiptar me një çmim që asnjë tjetër nuk e ka arritur. Fjala është për Sindrit Gurin, që deri tani janë ofruar plot 850 mijë dollarë për të.

Megjithatë, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, nuk ngutet dhe pret ofertë konkrete me shkrim. Ndërkohë, numri një i klubit verilindor mohon që t’i ketë vënë çmimin prej 1 milionë eurosh.

“Për Gurin janë afruar shumë për të dhënë oferta dhe disa nga nga këto oferta janë të vërteta, por klubi i Kukësit pret ofertat me shkrim. Jemi në bisedime. Unë nuk kam përcaktuar çmim, natyrisht kjo varet nga klubet që do sjellin ofertat dhe nëse do biem dakord edhe për një përqindje të kartonit në momentin që mund të shitet diku tjetër” – shprehet Safet Gjici.

Kukësi, nëse Skënderbeu nuk do të lejohet nga UEFA, do të luajë në Champions League, por Gjici nuk gëzon për këtë, sepse nuk e ngre suksesin e vet te fatkeqësia e tjetrit.

“Ne nuk presim që të ndërtojmë mirësinë tonë nga fatkeqësia e tjetrit. Natyrisht që Skënderbeu, gjithashtu edhe Kukësi, i kanë dhënë tonin kampionatit shqiptar. Janë dy ekipe që kanë kaluar shumë ture në kupat e Evropës. Skënderbeu ka bërë shumë herë më mirë se sa Kukësi, sepse është future dy herë në grupe të Europa League dhe nga kjo ka përfituar gjithë futbolli shqiptar nga ecuria këtyre dy ekipeve, për t’u rritur koeficienti dhe kjo rritje, për futbollin shqiptar, përkthehet në lekë” – shton numri një i klubit verilindor.

Ndërkohë, së shpejti pritet një stadium i ri në Kukës dhe shpresohet që këtë verë të nisin punimet.

“Projekt-ideja është, tani duam të bëjmë projekt-zbatimin, në kuptimin që të jemi të gatshëm për të nxjerrë fondet nga Qeveria 50% dhe 50% nga FSHF. Besoj brenda parametrave që parashikojmë ne, kur të mbyllet edhe sezoni, të fillojmë zbatimin e projektit” – përfundon presidenti i Kukësit, Safet Gjici.

Kukësi ndodhet në vendin e dytë në kampionat, me një distancë sigurie nga vendi i tretë, shumë larg nga vendi i parë, plot 14 pikë nga Skënderbeu

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?